Subscribe

Akademia e Arteve rikthehet në qendër të vëmendjes. Në auditorët dhe bankat e një Universiteti ku përgatiten artistët e së ardhmes, tashmë flitet vetëm për ekspozitat dhe shfaqjet e studentëve më të mirë të këtij viti akademik. Ndaj nëse dëshironi që të zbuloni emrat e artistëve të së nesërmes dhe të shijoni punimet e tyre të para për publikun vizitoni galerinë FAB dhe sallat e koncerteve apo atë Black Box në Akademinë e Arteve.
E nëse arti modern që përcjellin të rinjtë nuk është në shijet tuaja, Teatri i Operas dhe Baletit sjell një nga shfaqjet më të duartrokitura të sezonit. “Arrëthyesi” ringjit në skenë jo vetëm balerinët e TKOB, por edhe fëmijët më të talentuar të shkollës së baletit.
Të gjithë ata që nuk kanë mundur ta shijojnë këtë shfaqje edhe për shkak të numrit të kufizuar të spektatorëve, TKOB e përcjell magjinë e përrallave dy net këtë fundjavë. Kjo është një javë e mirë edhe për të vegjlit. Pas shfaqjeve “Mjeshtri i talenteve” në Cirkun Kombëtar” dhe “Festivalit të fëmijëve” në Teatrin e kukullave, ky i fundit risjell përrallën e Kësulëkuqes.
Udhëtime mbresëlënëse për fëmijët ofrojnë edhe teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli me shfaqjen “Minisons në udhëtim” apo çadra e Cirkut Kombëtar që sjell numra të rinj në shfaqjen me titull “Udhëtim në kohë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *