Rusia ka shtrënguar edhe më shumë masat për kontrollin e internetit. Presidenti Vladimir Putin ka hedhur firmen ne ligjin që u mundëson autoriteteve të bllokojnë faqe të caktuara interneti dhe të japin dënime për “lajme të rreme” apo për materiale që ato i konsiderojnë si fyerje ndaj shtetit.

Ligji i ri autorizon prokurorin e përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për të përcaktuar se çfarë përbën lajm të rremë, por pa një vendim gjyqësor. Gjobat e përcaktuara nisin nga 1500 dollare për individët, dyfishi i shumës për zyrtarët publikë dhe 5 fishi për kompanitë.

Gazetat apo portalet e regjistruara do të kenë një mundësi për ti hequr raportimet që konsiderohen si lajme të rreme, përpara se të bllokohen faqet e tyre të internetit.

Ligji gjithashtu parashikon gjoba te medha për fyerjen e autoriteteve ruse, agjencive qeveritare, shtetit, publikut, flamurit apo kushtetutës. Shkelësit përsëritës mund të burgosen deri në 15 ditë.

Mijëra qytetarë protestuan kundër kufizimeve për përdorimin e internetit disa ditë përpara se ligji te dekretohej nga kreu Kremlinit.

Këshilli rus për të drejtat e njeriut, grupe të shoqërisë civile dhe qindra shkrimtarë e gazetarë e cilësuan ligjin absurd dhe një rrugë të hapur drejt censurimit të mediave online nga ana e shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *