Drejtori i Agjencisë për Median dhe Informimin, Endri Fuga ka reaguar pas lajmit të publikuar pak më herët nga media gjermane “Der Spiegel” për shoqërimin e kryeministrit Edi Rama nga policia federale për kundërshtim të mbajtjes së maskës në bordin e avionit të kompanisë gjermane të fluturimit, Lufthansa.

 

Në një postim në “Twitter”, Fuga sqaron se incidenti nuk lidhej me kryeministrin, por me sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit, ndërsa shtoi se kompania ajrore, madje i ka kërkuar edhe ndjesë shefit të qeverisë për situatën e krijuar.

 

“Lajm i vjeter, per nje incident qe ne thelb nuk kishte vendosjen e maskes, por sjelljen e pahijshme te njerit prej anetareve te ekuipazhit. Ndjesa e kompanise u pranua qe ate dite”, shkruan Fuga.

 

Ndjesa nga kompania:

“Shkëlqesi, në emër të “Lufthansa German Airlines” kërkojmë falje që ju dhe familja juaj jeni zbritur nga fluturimi i Lufthansa LH442 nga Frankfurti në Detroid më 3 dhjetori 2021 dhe kërkojmë falje nëse ka ndodhur ndonjë shqetësim nga ky episod. Ofrojmë falje për ju dhe familjen tuaj, nëse sjellja e ndonjë anëtari të bordit ka qenë e papërshtatshme dhe nuk jeni trajtuar në mënyrë të ndjeshme dhe me diskresion.”

 

 

 

Ky incident është shënuar në dhjetor të vitit të kaluar, teksa kryeministri Edi Rama udhëtonte nga Gjermania në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *