Subscribe

“Frymëmarrje për Shqipërinë”, është logoja nën të cilën Partia Demokratike zyrtare do të kandidojë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj i shoqëruar nga kandidati për Bashkinë Tiranë, Roland Bejko, u shpreh optimist për rezultatin që pret nga këto zgjedhje.

 

Në të njëjtën kohë, Alibeaj nuk fshehu faktin se partia, logon e së cilës e mban ai, ndodhet në kushte të komplikuara.

 

“Megjithëse e pranoj që janë zgjedhje në kushte të komplikuara për Partinë Demokratike, për të gjithë kalvarin që Partia Demokratike ka kaluar vitin e kaluar, këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për shqiptarët. Ky është momenti për të bërë dallimin e madh. Janë të rëndësishme edhe për të ardhmen e Partisë Demokratike. Jemi këtu dhe marrim pjesë në këto zgjedhje, pikërisht për të vazhduar së pari, kauzat tona, kauzat e Partisë Demokratike, për të cilat kemi rezistuar gjatë kësaj kohe”, tha ai.

 

Bashkia më e madhe në vend mbetet me rëndësi të veçantë edhe për kreun e komanduar të PD.

 

“E kemi detyrim tjetër, jo vetëm për ekselencën e PD, por për riprofilizimin e së djathtës në Shqipëri, e pastër ideologjishkisht, e orientuar drejt euroatlantizmit.

Për këtë qëllim beteja që kemi për Tiranën merr një rëndësi të veçantë. Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, është qendra ekonomike dhe politike”, shtoi ai.

 

Ndërkohë kandidati i PD për Tiranën, Roland Bejko deklaroi se ka gati planin për të çliruar kryeqytetin.

 

“Qëllimi ynë është të çlirojmë Tiranën nga kthetrat e grabitqarëve. Ne programin e kemi gati. Tezat e këtij program do bëhen publike ditën e çeljes dhe çdo pikë e këtij program do të prezantohet te grupet e interesit, banorët e zonave rurale dhe atje do flitet qartë, do thuhet e vërteta që është aleati ynë më i madh në këtë zgjedhje. Do kemi një rrugëtim intensiv por së bashku do ia dalim”, tha Bejko.

 

Rolando Bejko i PD zyrtare do të jetë përballë kreut aktual të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, por jo vetëm. Për bashkinë më të madhe në vend opozita ka dy alternative, një nga të cilat Belind Këlliçi nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *