Subscribe

Për herë të parë në Shqipëri do të vijë një grup i Frontex për menaxhimin e kufijve në mënyrë që të parandalojë emigracionin e paligjshëm por edhe të evidentojë rastet e trafikut të narkotikëve.

 

Për këtë ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Komisionerin e Migracionit në Bashkimin Evropian Dimitri Avramopulos. Xhafaj siguroi komisionerin Avramopulos se Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis.

 

“Konfirmova angazhimin që Shqipëria nuk do jetë më në hartën e vendeve të kultivimit të kanabisit. E informova për rezultatet inkurajuese të operacionit ‘Forca e ligjit’. Dëshiroj t’ju bëj të njohur faktin se ne sot konkluduam siglimin e marrëveshjes me Frontex dhe rojeve kufitare e detare, që do të kontribuojë për menaxhimin e emigracionit të parregullt. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në menaxhimin e kufijve. Mundësi e mirë si për ne ashtu dhe për vendet e rajonit ku do të aplikohet.”

 

Nga ana e tij Komisioneri Avramopulos tha se Shqipëria dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtat sfida veçanërisht kundër emigracionit të paligjshëm,  menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar e drogës. Sipas tij përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian janë inkurajuese.

 

 “Kjo marrëveshje do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të emigracionit të parregullt në interes të përbashkët. Ne duhet te ulim numrin e atyre personave qe abuzojnë me liberalizimin e vizave. Duam te sigurojmë kete dhe te vijojmë te kemi liberalizim. Më duhet të theksoj faktin që ne sot kemi nënshkruar dhe një marrëveshje mirëkuptimi që ka të bëjë me luftën kundër drogës pasi ashtu si me çështjet e terrorizmit, rrjetet e drogës nuk njohin kufij.”

 

Komisioneri Evropian vlerësoi reformën në drejtësi e vetingut në radhët e policisë, ndërsa e cilësoi strategjinë e Bashkimit Evropian për Ballkanin perëndimor si një mundësi historike që i jepet Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *