Frika nga sulmet e Rusisë, ambasada e SHBA në Ukrainë mbyll dyert

Ambasada amerikane në Kiev përballet me një kërcënim për një sulm të mundshëm dhe do të mbyllet përkohësisht. Kështu bëri me dije vete selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë.
“Ambasada e SHBA-ve në Kiev ka marrë informacione për një sulm të mundshëm ajror më 20 nëntor. Në shenjë kujdesi, Ambasada do të mbyllet dhe punonjësit e Ambasadës po udhëzohen të strehohen. Ambasada e SHBA rekomandon që qytetarët amerikanë të jenë të përgatitur të strehohen menjëherë në rast të një alarmi për sulm ajror”.
Kjo nuk është hera e parë që Ambasada amerikane në Kiev mbyll dyert nga rreziku i sulmeve ajrore.
Ky njoftim vjen një ditë pasi Ukraina përdori raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për të kryer sulme në tokën ruse,duke shfrytëzuar lejen e dhënë nga administrata në largim e presidentit, Joe Biden.
Rusia ka muaj që e paralajmëron Perëndimin se, nëse Uashingtoni e lejon Kievin të hedhë raketa amerikane, britanike dhe franceze në brendësi të territorit rus , atëherë Moska do t’i konsiderojë këto vende si të përfshira drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë.
Një ditë më parë kreu i Kremlinit Vladimir Putin ndryshoi edhe doktrinën bërthamore të Rusisë duke rritur rrezikun për sulme në një kohë kur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit kanë arritur pikën më kritike në 50 vjetët e fundit.




