Fredi Beleri, kreu i zgjedhur i bashkisë së Himarës në një intervistë për radio Sky në Greqi ka thënë se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk funksionon.

 

“Më 4 dhjetor, pas 6 muajsh pengesë, do të ekzekutohet kërkesa ime në gjykatën speciale nëse do të betohem apo jo. Ligji, është i qartë, kur dikush nuk është dënuar dhe vendimi nuk ka marrë formë të prerë, ai mund të betohet . Për të njëjtin krim jam në paraburgim, ndërsa dy kryetarë të tjerë janë në detyrë në momentin që ka video dhe dëshmi për dy rastet e tjera. Një dëshmitar i vetëm pranoi se kishte marrë ryshfet me 7000 euro, ndërsa drejtori i policisë së Himarës u gradua.”- tha kryebashkiaku i zgjedhur Himarës

 

Ai gjatë intervistës ka prekur edhe aktualitetin politik ku ka përmendur aksionin opozitar ndërsa ka theksuar se opozita nuk mund të kryejë detyrat e saj pasi në parlament ka “gjueti shtrigash”.

 

 “Opozita nuk mund të kryejë detyrat e saj në Parlament, ka gjueti shtrigash nga qeveria shqiptare, kushdo që nuk pëlqehet nga Rama persekutohet në çdo kohë. Nuk ka barazi”, theksoi Beleri.

 

Beleri nuk i ka kursyer ironitë ndaj kryeministrit Rama teksa e ka quajtur atë të “llastuar” duke i përmendur edhe largimin e 1 milion shqiptarëve nga vendi.

 

Rama përshkon vendet e tjera dhe shihet si pro-evropian dhe modern, ndërkohë që 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi. Shumë media shqiptare mbështesin qëndrimin e Greqisë . Ata që mbështesin zotin Rama janë shumë të paktë dhe janë të drejtuar, – ka thënë Fredi Beleri.

Fredi Beleri ndodhet në paraburgim në burgun e Durrësit pasi ai u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve të 14 majit nën akuzën për blerje votash. Pavarësisht se ai ishte në qeli, ia doli të marrë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur në krye të bashkisë Himarë. Në intervistën për median greke, Beleri ka thnënë se është i pafajshëm dhe se gëzon gjithë dashurinë e himariotëve e të grekëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *