ISIS ka marrë përgjegjësinë e sulmit terrorist që tronditi Francën jugore mëngjesin e sotëm dhe la pas 4 viktima e 3 të plagosur. Njëri prej viktimave është vetë autori i sulmit, i identifikuar nga autoritetet me emrin Redouane Lakdim.

 

Ai u qëllua nga policia ndërkohë që po mbante peng 7 persona në një supermarket në Trebes. 26 vjeçari me origjinë marokene, kishte kërkuar lirimin e Salah Abdeslamit, të dyshuarit më të rëndësishëm të mbetur gjallë nga sulmet e 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona të pafajshëm. Abdeslam tani po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Francë ne pritje të gjykimit.

 

Mediat raportojnë se agresori, i armatosur deri në dhëmbë, nisi të shtënat në Carcassonne, ku kishte vjedhur një automjet duke vrarë një pasagjer dhe duke plagosur drejtuesin e mjetit. Më pas, ai qëlloi e plagosi një polic. Më tej mori disa pengje në një supermarket në qytezën e vogël jugore Trebes. Dëshmitarët tregojnë orët e ankthit dhe thonë se agresori u deklarua si një luftëtar i ISIS.

 

Qindra oficerë policie u dërguan menjëherë në vendngjarje. Një oficer xhandarmërie 45-vjeçar doli vullnetar të shkëmbehej me një prej pengjeve. Ai la telefonin e tij të hapur gjatë operacionit, në mënyrë që policia të mund të monitoronte situatën. Kur policia dëgjoi të shtëna nga telefoni, ata u futën në aksion për të marrë nën kontroll situatën, aksion gjatë të cilit agresori u qëllua për vdekje. Oficeri i Xhandarmërisë, mbeti i plagosur.

 

Tashmë, hetimin po e udhëheqin prokurorët e antiterrorizmit. Franca është goditur disa herë nga sulme vdekjeprurëse xhihadiste që prej vitit 2015, e mbetet ende në gjendje të lartë gatishmërie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *