Udhëheqësit e grusht shtetit në Niger thanë se kanë fituar mbështetjen e ushtrisë dhe bënë thirrje për qetësi, por ish-fuqia koloniale Franca tha se nuk e konsideronte puçin “përfundimtar”.

 

Ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, tha se kishte ende “rrugëdalje” për puçistët që zgjodhën të përmbytnin qeverisjen e presidentit të vendit, Mohamed Bazoum, dhe u përballën me kritika nga perëndimi.

 

Pas deklarimit të grusht shtetit në vendin e rajonit Sahel të Afrikës, presidenti Bazoum është kufizuar në rezidencën e tij nga rojet presidenciale që nga 26 korriku.

 

Përderisa ai qëndronte aty, kritikat ndaj puçistëve u shtuan nga organizatat afrikane dhe ndërkombëtare, si dhe dhe aleatët si Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.

 

“Fitoret [demokratike]e arritura me vështirësi do të mbrohen”, tha Bazoum në Twitter, platformën që tani po riemërtohet në X.

 

Ministrja franceze Colonna tha të premten se Bazoum ishte në “gjendje të mirë shëndetësore” dhe shtoi se ai kishte folur me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

 

“Nëse më dëgjoni duke folur për një tentativë për grusht shteti, kjo është sepse ne nuk i konsiderojmë gjërat përfundimtare”, tha ajo. “Ka ende një rrugëdalje nëse përgjegjësit dëgjojnë komunitetin ndërkombëtar”.

 

Ajo tha se Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) do të mbajë një samit “ndoshta të dielën”, ku “mund të vendosen sanksionet e mundshme”. Ajo shtoi se Franca do t’i mbështesë sanksionet.

 

Franca, e cila ka 1.500 ushtarë në Niger, bëri thirrje për “rikthimin e integritetit të institucioneve demokratike të Nigerisë”.

 

Por, shefi i forcave të armatosura, gjenerali Abdou Sidikou Issa, ua ka dhënë mbështetjen e tij puçistëve.

 

“Komanda ushtarake… ka vendosur të pajtohet me deklaratën e bërë nga Forcat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë… në mënyrë që të shmanget një konfrontim vdekjeprurës”, tha ai në një deklaratë.

 

Nigeri, shtet pa dalje në det, është një nga vendet më të varfra në botë. Që nga pavarësimi nga Franca në vitin 1960, ky vend ka përjetuar katër grusht shtete si dhe shumë përpjekje të tjera, përfshirë dy të tjera kundër Bazoum.

 

63-vjeçari është njëri nga presidentët e paktë pro-perëndimorë të zgjedhur në Sahel, ku një kryengritje xhihadiste ka shkaktuar grusht shtete në Mali dhe Burkina Faso.

 

Ata kanë dëbuar trupat franceze dhe në Mali ushtria në pushtet ka krijuar një aleancë të ngushtë me Rusinë.

 

Demonstrata pro grusht shtetit

 

Udhëheqësi i grushtit të shtetit, koloneli Amadou Abdramane, u shfaq në televizionin kombëtar të enjten duke i kërkuar “popullatës të qëndronte e qetë”. Një grup protestuesish në mbështetje të puçistëve në Niamey plaçkiti selinë e partisë PNDS të Bazoumit, duke i vënë flakën automjeteve në makinë parku.

 

Rreth 1.000 njerëz, kryesisht të rinj, kishin dalë përpara Asamblesë Kombëtare në kryeqytet si dhe disa qindra të tjera në qytetin Dosso, raportojnë gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP.

 

Disa mbanin flamuj rusë dhe brohorisnin slogane anti-franceze dhe pro-Moskës.

 

“Ne duam të njëjtën gjë si në Mali dhe Burkina Faso”, bërtiti studenti 19-vjeçar Alassane Alhousseini. “Ne duam ta marrim fatin në duart tona”.

 

Udhëheqësit e grusht shtetit të Nigerit, 10 burra me uniformë ushtarake, ishin shfaqur në televizion gjatë natës.

 

Koloneli Abdramane tha se ata po merrnin pushtetin pas “përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë, qeverisjes së dobët ekonomike dhe sociale”.

 

Nën flamurin e Forcave të Mbrojtjes dhe të Sigurisë (FDS), ata “kishin vendosur t’i jepnin fund regjimit”, dhe thanë se të gjitha institucionet po pezulloheshin, kufijtë po mbylleshin dhe po vendosej një shtetrrethim gjatë natës.

 

Presidenti i Beninit fqinj, Patrice Talon, pritej në kryeqytet për të ndërmjetësuar, por pastaj nuk pati asnjë lajm të mëtejshëm për këtë mision.

 

ECOËAS të enjten kërkoi “lirimin e menjëhershëm të Bazoumit”, duke thënë se ai “mbetet presidenti legjitim dhe ligjor i Nigerit”.

 

Të prirë për grusht shteti

 

Përpjekja e fundit për grusht shteti shton frikën e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në rajon dhe “rrezikut për mosangazhim” në frontin e sigurisë, tha Alain Antil, kreu i Qendrës për Afrikën Sub-Sahariane në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Francës (IFRI).

 

“Bazoum ishte shumë i brishtë. Zgjedhja e tij u kontestua nga opozita… dhe dihej se një numër i caktuar oficerësh të ushtrisë ishin mjaft të pakënaqur me situatën”, tha Antil.

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh i alaramuar për paqëndrueshmërinë në Sahel, duke thënë se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” nga ekstremizmi dhe trazirat ushtarake.

 

Operacionet humanitare të OKB-së janë pezulluar në Niger pas grusht shtetit, tha një zëdhënës.

 

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), numri i njerëzve në nevojë për ndihmë humanitare në vend u rrit nga 1.9 milionë më 2017 në 4.3 milionë më 2023.

 

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se kishte folur me Bazoumin për t’i ofruar mbështetje nga Uashingtoni, që ka rreth 1.100 trupa në Niger.

 

Rusia, e izoluar që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, iu bashkua kombeve duke bërë thirrje për lirimin e Bazoumit dhe për dialog paqësor.

Varfëria dhe xhihadizmi

 

Bazoum fitoi zgjedhjet presidenciale dy vjet më parë, në tranzicionin e parë paqësor të Nigerit që nga pavarësimi nga Franca.

 

Ai kishte qenë ministër i brendshëm dhe krahu i djathtë i ish-presidentit Mahamadou Issoufou, i cili dha dorëheqje vullnetarisht pas dy mandatesh.

 

Vendi prej 22 milionë banorësh shpesh renditet në fund të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor të OKB-së.

 

Nigeri përballet me dy fushata xhihadiste – njëra në jugperëndim, e cila erdhi nga Mali në vitin 2015, dhe tjetra në juglindje, që përfshinë xhihadistët nga Nigeria verilindore./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *