Parlamenti i Francës miratoi legjislacionin që i bën vaksinat kundër koronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe e zgjeron listën e vendeve që kërkojnë të ashtuquajturën leje shëndetësore.

Ndryshimi vjen pas protestave në Francë kundër rregullave. Por, presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron, thotë se synon ta bëjë vaksinimin armë kryesore kundër koronavirusit, ndërsa, sipas Qeverisë së tij, ndryshimet janë të nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit e cenueshëm, si dhe për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.

Ligji që i bën të detyrueshme vaksinat për punëtorët e kujdesit shëndetësor, u jep atyre kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen – në të kundërtën, rrezikojnë pezullimin.

Ndryshimet në lejen shëndetësore hyjnë në fuqi në gusht, nëse miratohen nga Gjykata Kushtetuese.

Leja tregon se njerëzit janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë shëruar prej tij ose kanë rezultuar negativë gjatë testimit. Ajo është kërkuar për hyrje në muze, kinema, pishina dhe vende të tjera që tërheqin turma të mëdha.

Me rregullat e reja, leja do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante dhe bare, si dhe për të bërë udhëtime në distancë të gjatë me trena dhe aeroplanë.

Ashtu sikurse shumë vende të tjera në Evropë, Franca është duke u përballur me variantin shumë ngjitës të koronavirusit, Delta. Infeksionet ditore janë rritur në 22,000 nga 4,000 sa kanë qenë në fillim të korrikut. Shtrimet në spital janë po ashtu në rritje.

Pak më pak se 50 për qind e popullsisë së Francës – prej 67 milionë banorësh – është e vaksinuar plotësisht. Kjo është ende larg çdo pragu që disa ekspertë thonë se mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së koronavirusit./ Burimi: R.E.L

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *