Subscribe

Nga data 3 prill, Franca fillon bllokimin e tretë kombëtar për një periudhë një mujore, me shkolla dhe biznese të mbyllura. Presidenti Emmanuel Macron, ndërsa bëri të ditur vendimin u shpreh se në këtë fazë të pandemisë, shtrëngimi i masave është i pashmangshëm.

EMMANUEL MACRON
PRESIDENT I FRANCES
“Ne bëmë gjithçka që kishim në dorë për të marrë këto vendime sa më vonë të jetë e mundur, por tashmë ato u bënë shumë të nevojshme. Variantet e reja e bëjnë virusin më ngjitës dhe më vdekjeprurës. Ne jemi një nga vendet e pakta që mbajtëm shkollat të hapura sepse besojmë në këtë investim tek të rinjtë, të rinjtë dhe askush nuk i di pasojat afatgjata sociale dhe ekonomike që bllokimet do të kenë mbi ta. Por tani jemi pa zgjidhje tjetër.”

Ministria e Financave bëri të ditur se kostoja e masave do të rritet nga 7.2 miliardë në 11 miliardë euro në muaj. Situata në Francë është përkeqësuar që nga muaji dhjetor, me dyfishin e rasteve të infeksionit që janë regjistruar në Gjermani, ndërsa shkalla e vdekshmërisë ka arritur në rreth 1500 viktima për milion.

Edhe Italia ka shtyrë kufizimet e pjesshme deri në fund të muajit prill ndërsa vaksinimi për stafin mjekësor është bërë i detyrueshëm.

Fushata e imunizimit në bllokun europian është rrënuar nga vonesat e kompanive prodhuese si dhe shqetësimet mbi sigurinë e vaksinës Astrazeneca. Deri më tani, BE ka administruar vetëm 15 doza për 100 njerëz, më pak se një e treta e asaj që ka menaxhuar, Britania e Madhe dhe SHBA.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *