Franca hapi kufijtë e saj me Britaninë e Madhe më 23 dhjetor, pasi Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e ndalimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e një varianti të ri të koronavirusit që ka shkaktuar alarm ndërkombëtar.

Lidhjet ajrore, hekurudhore dhe detare u rihapen, duke lejuar shtetasit e BE-së dhe Britanisë së Madhe të udhëtojnë midis Britanisë dhe Francës, por vetëm nëse posedojnë një test negativ të koronavirusit jo më të vjetër se 72 orë.

Dhjetëra vende kanë ndërprerë lidhjet e udhëtimit me Britaninë e Madhe që kur qeveria atje njoftoi për masa shtesë në Londër dhe Anglinë juglindore gjatë fundjavës, për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit të ri të koronavirusit, i cili u identifikua për herë të parë në shtator.

Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Evropë do të takohen më 23 dhjetor për të diskutuar se si të trajtohet ky lloj i ri i koronavirusit, duke thënë se “kufizimi i udhëtimit për të frenuar përhapjen është një vendim i matur, derisa të kemi një informacion më të mirë”.

Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, shkroi në Twitter se organizata do të “diskutojë strategjitë për testimin, zvogëlimin e transmetimit dhe komunikimin e rreziqeve”.

“Zinxhirët e furnizimit për mallrat dhe udhëtimet thelbësore duhet të mbeten të mundshme”, tha ai.

Derisa Franca lehtësoi kufizimet e udhëtimit, Gjermania e zgjati deri më 6 janar masën e ndalimit të udhëtimeve me Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut.

Varianti i ri, i cili gjithashtu është zbuluar në numër më të vogël në vendet e tjera, besohet të jetë më i transmetueshëm. Sidoqoftë, ekspertët thonë se mutacionet e virusit janë normale dhe nuk ka prova se ky është më vdekjeprurës ose do të jetë rezistent ndaj vaksinave./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *