Për herë të parë në procesin gjyqësor ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka relatuar mënyrën se si u identifikuan kodet e komunikimit në aplikacionin e enkriptuar SkyECC që, sipas akuzës, u përkasin të dyshuarve të përfshirë në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos.
Gjatë seancës gjyqësore, SPAK shpjegoi se identifikimi i përdoruesve të këtyre kodeve është bërë përmes disa elementeve verifikuese. Në disa raste janë përdorur pseudonime që lidhen me emrat e personave, ndërsa në rastin e Plaurent Dervishajt hetuesit kanë gjetur një fotografi ku kërkohej mbyllja e një adrese emaili që dyshohet se i përkiste atij.
Sipas prokurorisë, në komunikime janë zbuluar edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre, të cilat janë verifikuar dhe përputhen me të dhënat e Dervishajt.
Në të njëjtën mënyrë është bërë edhe identifikimi i Julian Meçes, pasi në biseda janë dërguar fotografi me të dhëna personale që kanë ndihmuar hetuesit të lidhin kodet e përdorura në SkyECC me identitetin e tij.
SPAK bëri të ditur se në disa raste personat janë vetëidentifikuar gjatë komunikimeve me përdorues të tjerë.
Një tjetër rast identifikimi është bërë përmes numrit të telefonit të avokatit të Redjan Rrajës. Sipas prokurorisë, në komunikime është dërguar një fotografi ku shihej numri i telefonit. Pas verifikimeve, hetuesit kanë gjetur edhe memon e përgatitur nga avokati, çka ka çuar në identifikimin e Ramazan Rrajës.
Për shkak të natyrës sekrete të disa të dhënave të paraqitura në proces, gjykata vendosi që vijimi i seancave të zhvillohet me dyer të mbyllura.





