Ka nisur në Pallatin e Kongreseve Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor. Ky Forum mbahet për herë të parë në Tiranë dhe do të zgjasë dy ditë, 13-14 tetor. E pranishmë është edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Në fjalën e tij në Forum, Rama falënderoi Komisionin Evropian për bashkëpunimin dhe mbështetjen në rrugëtimin evropian të vendit, duke theksuar se Shqipëria ka qenë e përgatitur për të nisur procesin më intensiv të negociatave me BE-në.
Rama: Dua të falenderoj skuadrën tuaj për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm për të bërë realitet këtë gjë. Të dashur pjesëmarrës, për një kohë të gjatë historia e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor është shkruar me gramatikën e pritjes. Në një pikë të caktuar, u bë dëshpëruese.. Megjithatë kurrë nuk ndalëm së shpresuari kur historia do të ndryshonte dhe kur ky moment të vinte të na gjente të përgatitur. Shkoi pikërisht kështu kur momenti erdhi. Ishim gati të nisnim së bashku me KE-në procesin e negociatave që nuk mund të ishte më intensiv dhe as më çlirues nga fantazmat e së shkuarës.
Në vijim të fjalës së tij gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, Kryeministri Edi Rama theksoi se rajoni po përjeton një rritje ekonomike dy herë më të shpejtë se mesatarja evropiane, duke e cilësuar këtë si një “horizont të ri zhvillimi”.
Rama u bëri thirrje institucioneve evropiane që të shohin Ballkanin si një hapësirë mundësish dhe partneritetesh të reja, e jo si një problem për t’u zgjidhur.
Rama: Sa më shumë hedhim sytë nga bota rreth nesh, aq më shumë ndiejmë si kurrë më parë nevojën për më shumë Evropë. Në zemër të këtij Gadishulli gjendet një rajon me rritje dy herë më të shpejtë se sa mesatarja evropiane. Kjo nuk është rastësi, është një horizont i ri. Horizont i ri për mua do të thotë një vend ku investimet evropiane gjejnë një ritëm shpejtësie. Një vend ku projekte mudn të shkojnë nga ideja në realizim më shpejt, një vend ku BE-ja dhe rajoni takohen jo vetëm për të folur për të ardhmen por për ta bërë të ardhmen realitet. Duhet kurajë për të kuptuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet laboratori i Evropës, një hapësirë për të ndërtuar dhe për të provuar të ardhmen.
Evropa nuk e ka luksin të varet nga ajo që nuk e kontrollon dot, dhe ne në Ballkan nuk e kemi luksin të mbetemi ajo që jemi quajtur gjithmonë. Le të imagjinojnë një zonë të përbashkët horizonti të ri, një ekosistem të lidhur, ku ligjet e tregut pikëtakohen me vlerat e BE. Le ta bëjmë një hapësirë të gjallë jetese për bizneset e sjella afër jo vetëm në prodhim por dhe në besim, një vend ku kompanitë evorpiane vijnë jo për krahun e punës por për partneritete inteligjente. Ne po kërkojmë të ndihmojmë BE-në. Ballkani nuk është një problem për t’u zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet./vizionplus.tv




