Shqipëria po përjeton një tkurrje të ndjeshme të popullsisë, shoqëruar me një proces të shpejtë plakjeje. Sipas raportit të fundit të projeksionit të popullsisë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, parashikimet për të ardhmen nuk janë aspak optimiste për vendin tonë.
Sipas të dhënave, deri në vitin 2054, numri i lindjeve pritet të përgjysmohet. Nga rreth 22 mijë lindje të regjistruara në vitin 2024, parashikohet që në vitin 2050 të kemi vetëm 10-11 mijë lindje në vit.
Në një intervistë për emisionin “7pa5”, gjinekologia Edlira Bylykbashi ka folur për rënien shqetësuese të lindshmërisë në Shqipëri.
“50% e personave që kanë emigruar, përbëjnë pjesën e moshës riprodhuese. Dhe gjithë elementët e tjerë social, ekonomik, arsimorë, planifikimi familjarë janë “përgjegjëse” për uljen e numrit të lindjeve”, shprehet në “7pa5” gjinekologe Edlira Bylykbashi.
Mjekja nuk nguroi të ndalet edhe te kërshëria e madhe që kanë çiftet për gjininë e fëmijës.
“Si mund të bëjë djalë- e kam të përditshme si pyetje. Ka disa variante që femrat i provojnë në çift. Gjinia e fëmijës përcaktohet nga babai. Shanset për të pasur një djalë rriten kur marrëdhënia seksuale ndodh në ditët e ovulacionit. Ka studime të tjera që thonë për rregullimin e pehashit të trupit. Pra pehash alkalin apo pehash bazi dhe kjo shoqërohet me dieta specifike që rregullojnë pehashin. Pastaj ka dhe formula kineze. “, tha mjekja.
Megjithatë, Bylykbashi e mbylli me humor:
“Në fund, e them gjithmonë – kemi vetëm dy alternativa: o djalë, o vajzë!”
/vizionplus.tv