Forcat amerikane që punojnë mes sigurisë së shtuar dhe kërcënimeve për një sulm tjetër, vazhduan evakuimet nga aeroporti i Kabulit të premten, një ditë pasi një sulm vetëvrasës shkroi një kapitull shkatërrues përmbyllës të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga lufta e saj në Afganistan.

Amerikanët duhet të shmangin udhëtimet në aeroportin e Kabulit për shkak të kërcënimeve të sigurisë paralajmëroi ambasada amerikane në një deklaratë në faqen e saj në internet. Ata që ndodhen në portat Abbey, Lindjes, Veriut ose Ministrisë së Brendshme duhet të largohen menjëherë, duhet në deklaratën e ambasadës.

Numri i të vdekurve u rrit në 169 afganë dhe 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan, duke e bërë sulmin e së enjtes një nga sulmet më vdekjeprurëse që kur forcat e udhëhequra nga SHBA hynë në Afganistan gati 20 vjet më parë.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni paralajmëruan se mund të ketë më shumë gjakderdhje përpara afatit të së martës për t’i dhënë fund transportit ajror dhe tërheqjes së forcave amerikane. Ditët e ardhshme “do të jenë periudha jonë më e rrezikshme deri më tani” në evakuim, tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Shpërthimi së enjtes -për të cilin u fajësua dega e grupit të Shtetit Islamik në Afganistan, një armik i talibanëve dhe i Perëndimit – shënoi një nga sulmet terroriste më vdekjeprurëse që ka parë vendi. SHBA tha se ishte dita më vdekjeprurëse për forcat amerikane në Afganistan që nga viti 2011.

Në të gjithë botën, të evakuuarit afganë të saposhpërngulur, shumë me foshnje dhe një pjesë të vogël të sendeve të tyre në qese plastike, mbërritën në Shtetet e Bashkuara, në Shqipëri, në Belgjikë dhe më gjerë. Në Kabul të premten, familjet afgane kërkuan të dashurit mes trupave të viktimave të shpërthimit, të vendosur përgjatë trotuarit të spitalit për identifikim, të cilët gjetën vdekjen duke u lutur për një vend në evakuimet ajrore të drejtuara nga SHBA.

Ndërsa lutjet e së premtes bënë jehonë nëpër qytet së bashku me zhurmat e avionëve që niseshin, turmat e shqetësuara që u mblodhën në aeroport me shpresën për të shpëtuar nga sundimi i talebanëve ishin më të mëdha se kurrë, pavarësisht skenave të viktimave të shpërthimit.

Afganët, qytetarët amerikanë dhe të huajt e tjerë ishin të gjithë të vetëdijshëm se mundësitë për të dalë përmes transportit ajror po zvogëlohen.

Jamshad shkoi në aeroport me gruan dhe tre fëmijët e vegjël. Ai siguroi një ftesë për t’u larguar në një vend perëndimor që nuk do ta identifikojë.

“Pas shpërthimit vendosa që ta provoja. Sepse kam frikë se tani do të ketë më shumë sulme dhe mendoj se tani më duhet të largohem”, tha Jamshad, i cili si shumë afganë përdor vetëm një emër.

Pentagoni tha të premten se kishte vetëm një sulmues vetëvrasës – në portën e aeroportit – jo dy, siç thanë fillimisht zyrtarët amerikanë.

Zyrtarët që dhanë numrin e viktimave afgane nuk ishin të autorizuar të flisnin me mediat dhe folën në kushte anonimiteti.

Viktimat afgane përfshinin themeluesin e një agjencie lajmesh së bashku me një numër afganësh të varfër që kishin shkuar në aeroport me shpresën për të realizuar një jetë më të mirë.

Detajet mbi viktimat amerikane gjithashtu filluan të dalin, përpara publikimit të emrave të tyre nga Pentagoni – 11 marinsa, një marinar i Flotës dhe një ushtar i këmbësorisë. Aty përfshihet një marins i ri nga Wyoming që priste të bëhej baba dhe që ishte në turneun e tij të parë të detyrës në Afganistan.

Zyrtarët britanikë thanë se dy qytetarë dhe fëmija e një britaniku tjetër ishin gjithashtu mes atyre që u vranë kur shpërtheu bomba në turmë.

Në mëngjes pas sulmit, talebanët përdorën një kamionçinë plot luftëtarë dhe tre makinna Humvees për të ngritur një barrierë 500 metra nga aeroporti, duke i mbajtur turmat më larg nga trupat amerikane nga sa më parë.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se disa porta u mbyllën dhe u vendosën masa të tjera të sigurisë . Ata thanë se kishte kufizime më të rrepta në pikat e kontrollit të talebanëve dhe më pak njerëz rreth portave. Ushtria tha se kishte kërkuar gjithashtu nga talebanët të mbyllnin rrugë të caktuara për shkak të mundësisë së sulmeve vetëvrasëse me automjete.

Pentagoni vuri në dukje se aeroporti tashmë kishte mbrojtje kundër sulmeve me raketa dhe tha se SHBA do të vazhdonte fluturimet e drejtuara dhe pa pilot mbi aeroport për mbikëqyrje dhe mbrojtje, përfshirë përdorimin e avionëve luftarakë AC-130.

Zyrtarët amerikanë thanë se evakuuesit me kredencialet e duhura ende po lejoheshin përmes portave. Brenda, rreth 5.400 të evakuuar prisnin për fluturime.

Në Uashington, komandantët amerikanë e informuan Presidentin Biden mbi zhvillimin e planeve për të goditur Shtetin Islamik dhe për të përmbushur zotimin e presidentit ndaj sulmuesve për t’i “gjetur dhe për t’i bërë të paguajnë”.

Presidenti Biden deklaroi se përpjekja e SHBA për të evakuuar amerikanët, aleatët afganë dhe të tjerët më të rrezikuar nga talebanët ishte një “mision i denjë”.

“Dhe ne do ta përfundojmë misionin,” tha ai.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e quajti shënjestrimin e civilëve që largohen dhe atyre që përpiqen t’i ndihmojnë ata “veçanërisht të urryer”.

Talibanët kanë rimarrë kontrollin e Afganistanit dy dekada pasi u rrëzuan nga një ndërhyrje e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit. Rikthimi i tyre në pushtet ka tmerruar shumë afganë, të cilët kanë nxituar të largohen nga vendi përpara tërheqjes amerikane.

Më shumë se 100,000 njerëz janë evakuuar të sigurtë përmes aeroportit të Kabulit, sipas SHBA, por mijëra të tjerë po përpiqen të largohen në një nga ngjarjet më të mëdha të evakuimeve në histori./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *