Subscribe

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur në Tiranë për të nisur fillimisht diskutimet me Ministrinë e Financave. Të udhëhequr nga shefja e misionit për Shqipërinë, Anita Tuladhar, përfaqësuesit janë takuar ditën e dytë, me kreun e ri të financave Arben Ahmetaj. Në qendër të diskutimeve ka qenë performanca e tatimeve dhe doganave, të cilat vitin që shkoi patën një rënie të konsiderueshme në mbledhjen e taksave, pavarësisht aksionit të nisur në shtator. Por përveç pjesës që thuhet përpara kamerave, mësohet se në këto ditë fondi do të diskutojë tre pika kryesore: Mënyra se si do të vazhdojë aksioni anti informalitet, paketa fiskale e qeverisë për 2017-ën dhe dhënia e koncesionit për monitorimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, gjë për të cilën FMN nuk ka ngurruar të flasë hapur se duhet treguar kujdes, si në raportet e publikuara, ashtu edhe në letrat e nisura qeverisë. Një pikë e fortë e këtyre e diskutimeve do të jetë edhe mënyra se si do të mbrohet sistemi tatimor këtë vit nga evazioni, pasi heqja e tatim fitimit dhe shkallëzimi i tij, krijon frikë për ekspertët e FMN-së se mund të lerë të hapur rrugën për t’iu shmangur pagesës së taksave. Misioni do të qëndrojë në Shqipëri dy javë, dhe në fund do të mbajë një konferencë për shtyp për të dhënë konkluzionet e vizitës. FMN do të ketë takime intensive edhe me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe drejtues të departamenteve në bankën qendrore. Situata e nivelit të ulët të inflacionit, ka qënë një nga temat kryesore, e cila është diskutuar që ditën e martë kur misioni erdhi në Tiranë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *