Fluks nga virozat e stinës, mbi 200 persona kërkojnë ndihmë çdo ditë në Elbasan
Luhatjet e temperaturave kanë krijuar terren për shfaqjen e virozave të stinës.
Në Urgjencën e Elbasanit, mbi 200 persona kërkojnë ndihmë brenda 24 orëve, duke u paraqitur kryesisht me temperatura të larta, të vjella dhe diarre.
Mjeku Ergys Mici, shef i Shërbimit të Urgjencës, thekson rëndësinë e menaxhimit të temperaturës dhe këshillon konsumimin e lëngjeve për të parandaluar dehidratimin.
“Në përgjithësi, me ndryshimin e klimës ne kemi shtimin e rasteve nëpër urgjenca. Sidomos raste të cilat kanë temperature të larta nga ndryshimi I klimës. Kemi raste gastroenterite, raste të virozave të cilët prekin sistemin gastrointestinal, enteroviroza. Ato vijnë me temperaturë të lartë, diarre, të vjella etj. Ne këshillojmë të gjithë pacientët të jenë të kujdesshëm në rastet kur kanë gastrointerite. Të konsumojnë sa më tepër lëngje dhe gjithashtu në momentin kur janë të dehidruar të paraqiten sa më shpejt në një qendër sa më të afërt”, tha mjeku Ergys Mici.
Bluzat e bardha nënvizojnë nevojën për t’iu drejtuar mjekëve sa më shpejt të jetë e mundur, për të shmangur agravimin e virozave.
“Në rastet kur kanë këputje, temperaturë shumë të lartë ose rezistente duhet me doemos edhe në këto raste të paraqiten në urgjencë. Ajo që është më e rëndësishme, çdo pacientë duhet të këshillohet në qendrën më të afërt, pranë mjekut të familjes, përsa u përket rasteve të cilat janë me temperatura të larta etj. Rastet të cilat janë edhe me sëmundje shoqëruese dhe kur i bashkëngjitet dhe viroza, këta agravojnë dhe bëhen raste që mund të jenë dhe kritike. Në këto raste hospitalizohen dhe ndiqen në vazhdimësi”, shtoi mjeku.
Edhe pavijoni i Pediatrisë përballet me fluks të lartë, pasi hapja e shkollave dhe kopshteve ka rritur numrin e fëmijëve të prekur. /vizionplus.tv




