Fluks i madh në Korçë për aplikimet për pasaporta dhe karta identiteti

Vijon të jetë i lartë fluksi i aplikimeve për karta identiteti dhe pasaporta të cilat skadojnë në muajt e parë të vitit. Në bashkinë e Korçës çdo ditë aplikojnë deri në 200 qytetarë për tu pajisur me këto mjete identifikimi. Ata janë të detyruar të presin në radhë, megjithëse nga ana e pushtetit vendor iu janë krijuar kushtet që të mos qëndrojnë jashtë në temperatura të ulëta.
Aktualisht në qytetin e Korçës janë 5 sportele ku qytetarët mund të kryejnë aplikimin, por për të përballuar fluksin çdo ditë në rritje, nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Kletjon Kita thotë se do të shtohen edhe 5 sportele të tjerë, për të cilat është duke u kontaktuar me kompaninë e cila kryen këtë proces.

Nga ana tjetër nënkryetari thotë se edhe në njësitë administrative të Bashkisë së Korçës janë krijuar kushtet dhe infrastruktura e duhur çka iu kursen kohë dhe kosto banorëve të fshatrave të cilët mund ti kryejnë aplikimet për karta identiteti dhe pasaporta në qendrat e njësive administrative pa iu dashur të vijnë në qytetin e Korçës.
Janë me mijëra kartat e identitetit dhe pasaportat të cilat janë prodhuar në vitin 2009 dhe e kanë afatin e përfundimit në muajt e parë të këtij viti, çka ka bërë që prej dy javësh fluksi i qytetarëve të rritet nga dita në ditë për pajisjen me mjetet e reja të identifikimit.





