I shpallur në kërkim për një kohë të gjatë, autoritetet e huaja i dhanë fund lirisë së Florenc Çapjas, pasi këtë të premte ai ekstradohet në Shqipëri nga Dubai në mënyrë që të përballet me drejtësinë, i akuzuar për krime shumë të rënda.
Çapja, i dyshuar si kreu i një prej organizatave kriminale më famëkeqe në Elbasan prej gati dy dekadash, akuzohet si porositësi i vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012, krim për të cilin është dënuar me burgim të përjetshëm.
Policia bëri të ditur se sot pasdite Florenc Çapja ekstradohet në Tiranë, pas një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Florenc Çapja dhe Ardian Çapja akuzohen si drejtuesit e grupit kriminal. Ky i fundit është arrestuar prej disa kohësh. Ndërkohë Florenci edhe pse u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, arriti që të arratiset në Dubai.
Vitet e fundit grupi “Çapja” sipas përgjimeve, hetimeve dhe rrëfimeve të Dumanit, kishte hyrë në konflikt të përgjakshëm edhe me organizatën e Suel Çelës.
Emri i tij gjithashtu është i njohur për drejtësinë që përpara 20 vitesh. Ai ishte i dyshuar për atentatin e vitit 2006 ndaj Fadil Mema, ish-shefit të Rrugores së Elbasanit, i cili mbeti i plagosur. Çapja u arrestua si i dyshuar, por Gjykata e liroi më pas për mungesë provash.
Mema u vra në Torino në 2015 teksa shpërndante gazeta dhe këtë krim dyshohet se ishte pikërisht fisi Çapja, por hetuesit nuk kanë prova të mjaftueshme.
Gjithashtu Florenc Çapja, bashkë me Ardianin, akuzohen si porositësit e atentatit të dyfishtë ndaj babë e bir, po për hakmarrje, Gentian dhe Nezir Beriqi, në Elbasan, më 12 gusht 2012, teksa i pari ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata për shkak të paralizimit nga plumbi që kishte marrë gjatë operacionit policor për arrestimin në kufi, në vitin 2007.
Vrasjet janë bërë për hakmarrje, pasi Gentjani, i afërm i oficerit të ndjerë Mema, dyshohej nga familja Çapja si një nga atentatorët në vrasjen e Sokol Çapjas, vëllait të Florencit dhe Ardianit./vizionplus.tv





