Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në fshatin Dorëz, në Njësinë Administrative Qendër të Librazhdit, ku një bujtinë me konstruksion druri është përfshirë nga flakët, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, Policia është njoftuar në orën 22:46 për zjarrin në bujtinën në pronësi të shtetasit Enver Shkurti. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse, policia si dhe banorë të zonës, të cilët kanë bashkëpunuar për vënien nën kontroll të flakëve.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit morën pjesë 12 efektivë zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, të cilët punuan për disa orë me radhë në kushte të vështira, deri në neutralizimin e plotë të flakëve.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se shkaku i zjarrit dyshohet të ketë qenë një defekt në rrjetin elektrik të amortizuar, i cili ka shkaktuar përhapjen e shpejtë të flakëve, të favorizuara edhe nga konstruksioni prej druri i objektit.
Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 80 m² të sipërfaqes së bujtinës, përfshirë ambientet e kuzhinës, dhomës së gjumit dhe tualetit. Objekti përdorej për aktivitet turistik dhe përbënte një burim të ardhurash për familjen pronare.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.





