Një kontribut prej 700 mijë dollarë nga Zvicra, Norvegjia dhe UNDP i shtohet 54 respiratorëve të siguruar tashmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

 

Qeveria zvicerane ka dhuruar 330,000 USD, qeveria norvegjeze 3,000,000 Krona Norvegjeze dhe UNDP 100,000 USD. Të 30 respiratorët pritet të arrijnë në Shqipëri brenda muajit dhe do t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar me rritjen e kapaciteteve në luftën kundër COVID-19. Në këtë situatë, ku ka më shumë të panjohura sesa të njohura, e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat, duke qenë solidarë. Ndaj, mbështetja juaj për blerjen e 30 respiratorëve është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

 

“Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

 

Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi: “Norvegjia është krenare që mbështet përpjekjet kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë COVID-19 duke siguruar fonde për blerjen e menjëhershme të respiratorëve në një partneritet të paprecedent me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP.”

 

“Jemi të lumtur të bashkojmë forcat me Qeverinë Zviceriane dhe atë Norvegjeze për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore me pajisje kritike të emergjencave mjekësore të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish”, tha Përfaqësuesja e Përhershme në Shqipëri e UNDP, Limya Eltayeb.

 

Marrëveshje u nënshkrua këtë të premte virtualisht midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP), e cila thekson mbështetjen ndaj autoriteteve të shëndetësisë në Shqipëri për të luftuar COVID-19 përmes blerjes së 30 respiratorëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *