Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa festa siç është kthyer tashmë në traditë, nisi nga sheshi i flamurit në Vlorë.
Ceremonia e ngritjes së flamurit bëri bashkë në krerët më të lartë të kombit: Presidenti Bajram Begaj, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama dhe kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti
Kreu i shtetit Begaj, e nisi mesazhin e urimit për të gjithë Shqiptarët nga sheshi simbolik ku 112-vjet më parë u valvit flamuri kuq e zi.
“Kudo ku janë bashkëatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, tha Begaj.
Më herët, kryeministri Edi Rama, zgjodhi të uronte bashkatdhetarët në këtë ditë të rëndësishme mE një videomesazh në profilin e tij në facebook.
“Me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, uroi Rama.
Në përfundim të ceremonisë, kryeminsitri Edi Rama dhe Albin Kurti zhvilluan një takim me nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlorën.
Me foto të Ismail Qemalit në duar, të veshur më flamur kuq e zi dhe me shumë emocione, qytetarët e shumtë nga të gjithë trojet shqiptare iu bashkuan festës së pavarësisë.
Shqipëria kujton jo vetëm Ismail Qemalin, por të gjithë patriotët shqiptarë që kontribuan në ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë./vizionplus.tv





