Korça ka qenë sërish në qendër të vëmendjes kulturore me organizimin e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve.
Ngjarja, e kthyer tashmë në një traditë, ka sjellë këtë vit një numër të konsiderueshëm grupesh artistike, jo vetëm nga Korça, por edhe nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.
Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë e Korçës, Zamira Kita, u shpreh se ky edicion ka qenë i veçantë si për nga pjesëmarrja, ashtu edhe për kostumografinë dhe risitë që sollën grupet pjesëmarrëse.
“Ky vit ka qenë ndryshe, jo vetëm në numrin dhe cilësinë e grupeve pjesëmarrëse, por edhe në krijimtarinë artistike, veçanërisht në kostumografi. Karnavalet e këtij viti sollën një frymë të re dhe energji të jashtëzakonshme në qytet”, shprehet Zamira Kita.
Festivali është pritur me entuziazëm nga banorët vendas, por edhe nga vizitorë dhe turistë të shumtë.
Grupet e karnavaleve kanë përshkuar bulevardin “Republika”, për të përfunduar më pas në Pazarin e Vjetër të qytetit, ku atmosfera festive arriti kulmin mes muzikës, ngjyrave dhe energjisë së pjesëmarrësve.
Ky festival vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit të Korçës, duke promovuar jo vetëm artin dhe traditën, por edhe turizmin e qytetit si një destinacion i rëndësishëm kulturor jo vetëm në juglindje, por në të gjithë Shqipërinë.
/vizionplus.tv





