Muzika e dhomës jehon nga kjo e premte në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Gjithçka ka marrë jetë mbrëmjen e së enjtes, kur edhe u çel edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, që këtë vit bën pjesë të këtij rrugëtim të përvitshëm 53 artistë shqiptarë e të huaj.

 

Në shtatë mbrëmje, përgjatë dy javëve do të luajnë instrumentistë të ardhur nga Italia, Greqia, Gjermania, Austria e padyshim nga Shqipëria.

 

Në repertorët e koncerteve bëjnë pjesë  dhe vepra nga më të njohurat e muzikës së huaj klasike, por edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë,  Prenk Jakova e Çesk Zadeja, të cilët do të përkujtohen në vitin e përvjetorëve të lindjes.

 

Pjesë e 53 artistëve pjesëmarrës do të jenë në këtë edicion edhe 17 studentë të Universitetit të Arteve, të cilët do të ndjekin masterklasa me profesorët e huaj e në fund të këtij rrugëtimi do të interpretojnë në koncertin përmbyllës të Festivalit, më 18 korrik.

 

Për ata që nuk do të mund të bëhen pjesë e këtyre koncerteve pa kosto, platforma Tring premton se do t’i përcjellë këto emocione përmes kanalit Muse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *