Këngë, valle, kostume popullore dhe tradita të trashëguara ndër breza janë ngjitur në skenën e fshatit Kotë, në natën e parë të Edicionit të katert të Festivalit Folklorik.
Tetë grupe performuan, duke sjellë për publikun ngjyrat dhe veçantinë e folklorit të zonës.
Ajo që spikati ishte prania e të rinjve, që kënduan dhe vallëzuan, duke treguar se traditat e të parëve vijojnë të jetojnë edhe tek brezi i ri.
Mes grupeve pjesëmarrëse ishte edhe grupi vllah “Uan Shollaj” i Selenicës, i cili u ngjit në skenë me tri këngë, të cilat përcollën gjuhën, kulturën dhe identitetin e komunitetit vllah të Selenicës.
Debati për të ardhmen administrative të Selenicës u bë pjesë edhe e kësaj mbrëmjeje folklorike.
Pjesëtarë të grupeve labe shprehën shqetësimin se shkrirja e Bashkisë Selenicë me Vlorën do të mund të sillte, sipas tyre, humbjen graduale të vlerave dhe traditave të kësaj zone.
Në këtë edicion marrin pjesë 25 grupe folklorike, ndërsa juria përzgjodhi pesë prej tyre për natën finale.




