Mbrëmjen e djeshme nisi zyrtarisht edicioni i tretë i Ferma VIP, duke rikthyer në ekran një nga formatet më të ndjekura dhe më të komentuara të momentit. Një start i fuqishëm, i kuruar në çdo detaj, ku spektakli, emocionet dhe dinamika u ndërthurën që në minutat e para.
19 personazhe të njohur nga fusha të ndryshme, ku dominuan arti, televizioni, rrjetet sociale dhe sporti, u bënë pjesë e këtij sezoni, duke premtuar dinamika të forta, përplasje karakteresh në një luftë të vetme për të rrëmbyer çmimin e madh të rritur deri në 200 mijë euro.
Ky edicion vjen më i pasurar në elementë spektakli dhe lojrash. Ambientet e fermës janë rikonceptuar, duke ofruar më shumë hapësira për aktivitetet ditore, sfidat dhe ndërveprimet mes konkurrentëve. Qëllimi mbetet i njëjtë: të testojë jo vetëm aftësitë fizike, por edhe durimin, bashkëpunimin dhe strategjinë sociale të çdo fermeri.
Soni Malaj, Blerina Bajko, Teni Vllacaj, Akil Varfi dhe Mimoza Ahmeti ishin fermerët e parë që u bënë pjesë e kastit të “Ferma VIP 3”
Nën moderimin e Arbana Osmanit, ky produksion i Vita Production mbrëmjen e së të premtes përçoi magjinë që mbajti mbërthyer publikun në një numër rekord shikuesish.
Një hyrje speciale ishte ajo e Indri Shirokës dhe aktorit të mirënjohur Romir Zalla. Ndërsa për të tjerët hyrja u shoqërua me sfida.
Momente të veçanta u shfaqën gjatë gjithë spektaklit, e një moment i tillë ishte edhe performanca e e fermeres së radhës Vanesa Sonos.
Modelet Fabjola Elezaj dhe Dona Sina, Sara Karaj, Malbora Gurra, aktori Elvis Pupa apo edhe Jonida Maliqi hynë gjithashtu me një jehonë të madhe duke u bërë pjesë e bashkëjetesës në fermë e duke plotësuar kështu mozaikun e fermës.
Agai duket se nisi punën që në natën e parë, duke i ngarkuar Jonida Maliqin të ndante krevatet për secilin fermer e po ashtu është hapur një televotim deri ditën e hënë për fermerin e preferuar.
Edicioni i tretë sapo ka nisur, ndaj do të keni mundësi ta ndiqni 24 orë në 7 ditë të javës, në dy kanale të dedikuara, si dhe netët e spektaklit çdo të hënë dhe të premte në orën 21.00 vetëm në ekranin e Vizion Plus.






