Nga janari i 2016 e deri në gusht të këtij viti, 30 fëmijë kanë humbur jetën në aksidentet rrugore ndërsa 64 janë plagosur rëndë. Shifrat vijnë nga policia e shtetit, sipas së cilës nga 366 aksidente përgjatë kësaj periudhe, 272 të mitur janë plagosur lehtë.

 

Sipas policisë së shtetit, mosha mesatare është nga 1 deri në 15 vjeç, ndërsa në shumë raste shkak i humbjes së jetës është mosvënia e rripit të sigurimit, si dhe i mjeteve fiksuese për ta nga prindërit. I tillë ishte dhe rasti i një dite më parë në Kamëz, ku aventura e një 15-vjeçari, i cili mori fshehurazi makinën e të atit për të bërë xhiro përfundoi në tragjedi.

 

Pasi hipi 3 shokë në automjetin e babait, i riu lëvizi me shpejtësi në zonën e Kamzës, ku në rrugën ‘Donald Tramp’ humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë elektrike. Një prej shokëve të tij pasagjer, humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa dy të tjerët 11 dhe 16 vjeç, mbetën të plagosur.

 

Sipas dëshmitarëve, si i mituri që drejtonte mjetin pa leje, ashtu dhe shokët e tij e tij, nuk kishin vendosur as rripin e sigurimit, ndërkohë që makina lëvizte me shpejtësi dhe bënte manovra të rrezikshme në rrugë. Për këtë, policia nisi dhe një aksion ndërgjegjësimi për drejtuesit e mjeteve që të shtojnë përdorimin e rripit të sigurimit dhe të sediljeve të posaçme për transportin e fëmijëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *