Tre vite pas tentativës se pare, Femen godet sërish në Vatikan, për Krishtlindje. Me akuzën e ofendimit ndaj besimit fetar, tentativë grabitje, akte të turpshme në vende publike e rezistencë dhe lëndime ndaj forcave të rendit, policia italiane ka arrestuar dy shtetase ukrainase të moshës 25 dhe 22 vjeç.
Dy të arrestuarat, anëtare të grupit feminist, tentuan të vjedhin statujën e Jezu Krishtit, në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan.
Para bekimit ‘Urbi et Orbi’ të Papa Franceskut, aktivistja kishte mundur të kapërcente rrethimin e sigurisë, duke thirrur “Zoti është grua”.
Objektiv i grupit, të themeluar në Ukrainë, është fitorja e plotë mbi patriarkatin. Femen kishte goditur edhe gjatë meshës së mesnatës, me një aksion, po topless, në sheshin “Shën Pjetri”.
Tre vite më parë, në Krishtlindjen e 2014-ës, u përsërit e njëjta skenë. Një aktiviste e Femen, kishte tentuar të rrëmbente fëmijën Jezu, por u ndalua në kohë. E akuzuar për akte të padenja në një vend publik dhe për tentativë vjedhjeje, asaj iu ndalua të shkelte sërish në Vatikan.





