Subscribe

Qëndrimi në një hotel për pushime këtë vit do të na kushtojë minimalisht 10% më shtrenjtë. Por kur çmimet e disa produkteve vazhdojnë të ndryshojnë, fatura mund të shkojë edhe më shumë.

KLITON G ERXHANA
SHOQATA SHQIPTARE E TUR-OPERATOREVE

“Kostot janë të paparashikueshme, çdo herë gjendemi para një rritjeje kostosh, nafta rritet çdo të premte çuditërisht, në qershor qumështi u rrit sërish. Një 10-20% besoj që do të ketë rritje, por është e paparashikueshme.”

 

Nëse një dhomë hoteli vitin e shkuar kushtonte 40 euro për një natë, këtë sezon çmimi i rritur do të jetë të paktën 50 euro. Me këto çmime më të shtrenjta do të përballen ata që rezervojnë në moment të fundit dhe jo ata që kishin prenotuar para krizës.

 

RRAHMAN KASA
UNIONI TURISTIK SHQIPTAR
“Në kontratat e lidhura më herët, nuk ka lëvizje çmimesh sepse ndryshe cenohet marrëdhëniet kontraktuale dhe ul imazhin e operatorëve shqiptarë për rezervime. Për ata që bëjnë rezervime në momentin e fundit, do të kemi rritje çmimesh sipas rritjes së kostove të hotelit, që varion nga 40-50%.”

 

Shtrenjtimi i çmimeve, jo vetëm për qëndrimin në strukturat akomoduese, por edhe për menunë e pijeve dhe ushqimeve, do të detyrojë shqiptarët të reduktojnë ditët e pushimeve.

 

KLITON GERXHANI
SHOQATA SHQIPTARE E TUR-OPERATOREVE

“Turizmi po u bë një produkt më i shtrenjtë sesa ka qenë, siç ndodh me çdo produkt tjetër, njerëzit do të konsumojnë më pak. Do të konsumojnë më pak turizëm dhe nuk do të jetë më masiv, por për një grup njerëzish që mund ta përballojnë. Ndoshta do të kemi edhe spostime të sezoneve, shqiptarët që nuk përballojnë çmimet e larta të verës, do të detyrohen të pushojnë në pranverë dhe vjeshtë.”

 

RRAHMAN KASA
UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

“Kjo nuk do të ishte komode për qytetarët shqiptarë, krahasuar edhe me pagat që marrin dhe do të ketë një ndikim edhe në rezervime ose duke ul nr e rezervimeve, ose të qytetarëve që nuk do të zgjedhin më hotelet kryesore për të qëndruar, por ambiente të tjera dytësore.”

 

Për të mos humbur klientët që kanë prej vitesh, ka nga ato biznese që kanë zgjedhur të mos reflektojnë rritje çmimi.

 

FATOS ÇERENISHTI
BIZNES TURISTIK

“Në resortin tonë nuk kemi aplikuar rritje çmimesh. Do të jetë një sakrificë për fitimet e hoteleve, por na intereson më shumë vazhdimësia sesa fitimet e një viti. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse kemi krijuar një punë dhe klienti është shumë i ndjeshëm dhe duhet ta ruajmë nga rritja e çmimeve.”

 

Në javën e fundit të majit mbërritën edhe charterat e parë me polakë dhe nordikë, pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *