Subscribe

Kryetari i republikanëve Fatmir Mediu, aleati më i afërt i PD, ka kritikuar ashpër Enkelejd Alibeaj dhe qasjen e tij ndaj procesit për zgjedhjen e presidentit të republikës.

 

Sipas Mediut, opozita duhet të kishte qenë e bashkuar në këtë proces dhe të kishte propozuar kandidatët e saj në raundin e parë dhe në raundin e dytë, duke hedhur poshtë platformën me të cilën Alibeaj kushtëzoi negociatat.

FATMIR MEDIU, KRYETAR I PARTISE REPUBLIKANE

“Duhet të kishte një grup unik, duhet të çonte emrat e vet, opozita emrat e vet, mazhoranca emrat e vet dhe të arrinim mundësisht në një kandidaturë të përbashkët. Në momentin kur nuk arrihet me një kandidaturë të përbashkët, opozita sipas kushtetutës ka një detyrim. Detyrimin për të paraqitur kandidaturën e cila pretendohet se do të ishte më e mirë se e mazhorancës dhe e kam thënë në raundin e dytë duhet te paraqiste një kandidat politik, dhe nëse do të refuzohej nga ana tjetër në raundin e tretë duhet të paraqiste një kandidaturë intelektuale, e cila të ishte një kandidaturë mbi palët. Në mënyrë që t’i bënte sfidën e hapur qeverisë që të mos zgjidhte një president që i shërben asaj.”

Sipas Mediut, vendimi i Alibeajt dhe deputetëve që e mbështesin për të mos çuar asnjë kandidat në 3 raundet e para tregon se kjo opozitë është e paorganizuar.

 

“Kjo është një opozitë e paorganizuar, me një protagonizëm fëminor , foshnjarak, pa sens, e cila nuk i shërben aspak qëllimit jo vetëm për presidentin, por edhe për procese të tjera të rëndësishme.”

 

Enkelejd Alibeaj dhe deputetët demokratë që mbështesin një ditë më parë vendosën ta bojkotonin raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit dhe ende nuk dihet nëse do të bojkotojë edhe raundin e 4. Por aleatët si do të veprojnë në seancë ku zgjidhet presidenti i Republikës.

“Është e rëndësishme që opozita të ketë një qëndrim të përbashkët, qëndrime spontane për të treguar se kush është kush nuk i shërben fare opozitës. Nëse opozita do të marrë qëndrim që s’do të marrë pjesë duhet ta sqarojë pse nuk do të marrë pjesë , nëse opozita ka frikë se do t’i rrëshqasin numrat gjatë procesit të votimit do të thotë që opozita është akoma në një lloj situate tërësisht të paorganizuar.”- ka shprehur Fatmir Mediu.

Ndryshe nga Enkelejd Alibeaj dhe grupi i deputetëve që e njohin si kryetar që ende nuk kanë një vendim, Sali Berisha dhe 16 deputetë të PD e kanë bërë të qartë se do të marrin pjesë në parlament dhe do të votojnë kundër kandidatit të PS.

Leave a Reply

Your email address will not be published.