Subscribe

Këmbëngulja e të atit për ta fejuar pa dëshirën e saj, e shtyu 19 vjeçaren Hygerta Meta drejt një krimi të rëndë: vrasjen dhe me pas groposjen e babait të saj.

Ngjarja horror shokoi opinionin, pasi 49-vjeçari Pëllumb Meta ishte denoncuar i zhdukur prej 10 ditësh nga familjarët e tij, ndërsa vetëm këtë të premte policia gjeti trupin e pajetë të groposur shumë pranë shtëpisë së tij, në kasollen e lopës.

Lexo edhe :

Related Posts

Policia riktheu në vendin e ngjarjes, pas arrestimit,  Hygertën, për të treguar saktësisht se cfarë kishte ndodhur me babain e saj 49 vjeçar.

E shoqëruar nga disa efektivë dhe me një maskë në fytyrë hygerta Meta u rrëfeu rrethanat e krimit dhe vendin ku e kishte groposur të atin pasi e kishte qëlluar 4 herë me pistoletë.

Pa asnjë shenjë pendese, studentja 19 vjeçare deklaroi në polici se krimin e kishte kryer e vetme.

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe na ka nxirë jetën. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfarë dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarçaf, pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”, ka dëshmuar e reja.

Por hetuesit dyshojnë se Hygerta studente në vit të parë në Tiranë, nuk ka qenë e vetme në kryerjen e krimit. Ajo besohet se është ndihmuar në fshehjen e trupit që u gjet i mbështjellë e i groposur.

Ndërkohë të afërmit dhe  fqinjët thonë se ata njiheshin si një familje e qetë.

“Ne  e njohim për familje shumë të mira.  E dinim që prej dy javësh që ishte zhdukur. Ajo vajza nuk mbyt dot një pulë jo një njeri. Nuk na shkoi fare në mendje qe mund të bënte diçka të tillë.

Shumë u tronditëm, shumë, shumë. Është traditë e shqiptarit, njoftojmë njëri-tjetrin për fatkeqësinë. Ne e kemi marrë vesh nëpërmjet televizorit, ju e keni dhënë lajmin”, kanë thënë fqinjët.

Vrasja ndodhi në 13 shkurt dhe pas kërkimeve të para, policia gjeti makinën e 49 vjeçarit, të braktisur në sektorin Rinia. Dyshimet për një krim brenda familjes u vërtetuan plotësisht vetëm pasi vajza tregoi vendin ku ndodhej trupi i pajetë i të atit dhe pranoi vrasjen. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *