Ndërsa Shefi ekzekutiv i Facebook do të vazhdoje llogaridhënien në kongres edhe gjatë ditës së sotme, duket se ai ia doli mbanë një ditë më parë përballë pyetjeve hetuese të 42 senatorëve.

 

Mediat amerikane e komentojnë përfaqësimin e shumicës së senatorëve si tejet naiv sepse sipas tyre, pyetjet nuk ishin të përqendruara tek problemi kryesor, ai i cenimit të privatësisë dhe ruajtjes së të dhënave të përdoruesve.

 

Megjithëse pati edhe përjashtime.

 

Jo pak herë Zuckerberg u vendos në vështirësi dhe kërkoi falje, duke marre përsipër përgjegjësitë e duke premtuar përmirësimin në të ardhmen si një mënyrë për t’i shpëtuar presionit.

 

I pyetur për lidhjet me Rusinë, Mark Zuckerberg ndër të tjera deklaroi se kompania e tij është në luftë të vazhdueshme me operatorët rusë që përpiqen të keqpërdorin rrjetin social.

 

“Kjo është një garë armësh, ata do të vazhdojnë të përmirësohen, prandaj është e rëndësishme të investohet në kapacitetet e Facebook-ut”.

 

Zuckerberg po ashtu zbuloi se Robert Mueller, këshilltari i posaçëm amerikan, që po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, ka intervistuar stafin e Facebook-ut.

 

Ai tha se nuk ka qenë në mesin e të intervistuarve por shtoi se puna e stafit të tij me këshilltarin e posaçëm është sekrete dhe se nuk dëshiron të zbulojë diçka të fshehtë në një sesion të hapur.

 

Në muajin shkurt, Mueller ka akuzuar 13 rusë dhe tri kompani ruse për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA. I pyetur për rolin e Facebook-ut në akuzat kundër Rusisë, Zuckerberg tha se kompania e tij është duke zhvilluar mjete të reja për të identifikuar llogaritë e rreme. Ai pranoi se Facebook nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i trajtuar ato.

 

“Ka njerëz në Rusi, puna e të cilëve është të përpiqen t’i keqpërdorin sistemet tona dhe sistemet e tjera po ashtu. Një nga keqardhjet e mia më të mëdha në udhëheqjen e kompanisë është fakti që kemi qenë shumë të ngadalshëm në identifikimin e operacioneve ruse në vitin 2016. Ne po planifikojmë që deri në fund të vitit, të ketë mbi 20,000 pjesëtarë të stafit që punojnë për sigurinë dhe rishikimin e përmbajtjes.”

 

Shefi i Facebook-ut u paraqit në një sesion të përbashkët të disa komiteteve të Senatit amerikan, pasi u zbulua se Cambridge Analytica ka pasur qasje në informacionet e profilit të rreth 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *