Deri më tani, mbi 23 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar me koronavirus dhe afro 800,000 kanë vdekur, thuhet në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins. Megjithatë, shifrat reale besohet se janë më të larta.

Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia janë në mesin e shteteve që po regjistrojnë rritje të rasteve. Franca ka raportuar për të dytën ditë me radhë mbi 4,000 raste të reja. Spanja ka regjistruar dyfishin e rasteve të Francës; Italia ka regjistruar pothuajse 1,000 raste në ditë, ndërkaq në Gjermani, numri i rasteve të reja me koronavirus, brenda një dite po arrin shifrën prej mbi 1,500.

Rritja e numrit të rasteve të reja, sipas ekspertëve, lidhet me udhëtimet gjatë verës të të rinjve, që ka rritur frikën se virusi mund të rikthehet më fuqishëm gjatë vjeshtës.

Por, disa liderë evropianë kanë dhënë sinjale se nuk do të rikthejnë masat e izolimit, të cilat në shumë vende të botës kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.

Në SHBA, mbi 175,000 persona kanë vdekur me koronavirus, ndërkaq, Brazili ka regjistruar mbi 113,000 viktima. Megjithatë, për pesë ditë me radhë, në SHBA është shënuar rënie e rasteve të reja, ku janë regjistruar 43,000 raste të reja brenda 24 orëve./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *