Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të takohen këtë javë, më 18 qershor, dhe sërish Ballkani do të jetë një temë e nxehtë në axhendën e takimit, pasi shumica e politikanëve kundërshtarë e kanë të pamundur të mos e dëmtojnë njëri-tjetrin.

Në një shembull të rrallë zgjidhjeje serioze diplomatike, dy kryeministra të rinj të majtë në Athinë dhe Shkup realizuan këtë vit atë që dukej një mision krejt i pamundur, kur Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev ranë dakord t’i jepnin fund një ngërçi 30-vjeçar lidhur me emrin e vendit në veri të Greqisë, i njohur si Maqedonia që prej viteve 1990.

Shkupi ra dakord t’i jepte një emër të ri vendit duke e quajtur Maqedonia e Veriut për të kënaqur qëndrimin e Greqisë që rajoni i saj i Maqedonisë, me territor dhe popullatë më të madhe sesa dy milionë banorët e vendit me popullsi sllavo-shqiptare,  nuk duhet të mbajë të njëjtin emër si fqinji i saj verior.

Në këmbim, Greqia ra dakord që mbështeste hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Europian. Diplomatët grekë kanë mbështetur gjithashtu në heshtje anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe udhëheqësit politikë të Tiranës dhe Shkupit pritet të hapin bisedimet e anëtarësimit në vjeshtë.

Pranimi i dy fqinjëve të saj si vende anëtare të BE-së zgjeron mundësitë ekonomike të Greqisë. Së paku 650 mijë shqiparë punojnë në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe shërbimeve të Greqisë.

Njëlloj sikurse anëtarësimi i Polonisë dhe shteteve të Europës lindore në BE i ka ndihmuar këto vende të rrisin ekonomitë e tyre dhe të hapin vende pune, efekti përhapës i BE-së për rritjen e standarteve në biznes, shtetin e së drejtës, apo të drejtat e njeriut shpresohet të funksionojë edhe Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Lënia e vendeve të varfëra ballkanike të përkeqësohen edhe më tej jashtë BE-së do të nxiste popullatën e tyre drejt emigrimit të paligjshëm dhe kriminalitetit për shkak të pamundësisë për të hyrë në tregun e BE-së, fondet për investime në infrastrukturë, ndërkohë që politika e korruptuar dhe klanore do ta demoralizonte shoqërinë civile.

Ekziston një kundërshtim në vendet e Europës veriore, veçanërisht nga politikanët nacionalistë dhe myslimano-fobë, të cilët kundërshtojnë faktin se shumica fetare e Shqipërisë është Islami tolerant i epokës otomane. 25% e popullsisë së Maqedonisë së Veriut  janë shqiptarë me trashëgimi myslimane europiane.

Të gjitha këto probleme janë të menaxhueshme, por presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duket se po bëjnë më të mirën e tyre për të nxjerrë nga binarët shpresat e anëtarësimit në BE.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski erdhi në Bruksel javën e kaluar dhe tha që Shqipëria duhej veçuar nga Maqedonia e Veriut në mënyrë që vetëm Shkupi të priviligjohej për të nisur bisedimet e anëtarësimit.

Duke pasur parasysh faktin se kryeministri socialist i shkolluar në Francë, Edi Rama i ka mbështetur fuqimisht përpjekjet e social demokratëve të Shkupit në garën përballë  ultra-nacionalistit Nikola Gruevski, i cili e mbushi Shkupin me statuja madhështore të Aleksandrit të Madh sikur heroi i antikitetit grek të  ishte një sllav i Ballkanit, thirrja e Pendarovskit për të anashkaluar Tiranën ishte një akt  mosmirënjohjeje politike edhe për normat e Ballkanit.

Megjithatë, ai ka edhe ndihmën e kolegut të tij, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Dikur ai ishte mik i Edi Ramës si një nga reformatorët e rinj të partisë socialiste të Shqipërisë të cilët kundërshtuan hapur konservatorin Sali Berisha, i cili ishte ideatori i skandalit të skemës piramidale që shkatërroi kursimet e shumë shqiptarëve dhe bëri shumë pak përpjekje për të luftuar korrupsionin kronik në gjyqësor dhe  biznes që mbizotëroi në Shqipërinë postkomuniste për 20 vite me rradhë.

Por Meta krijoi partinë e tij – tani e udhëhequr nga bashkëshortja e tij – dhe iu desh të dorëhiqej më turp si zëvendëskryeministër në vitin 2010 lidhur me akuzat – të cilat ai i mohon – në lidhje me një bisedë për një pagesë jo të rregullut prej 800,000 €. Rama shpresonte se  duke e bërë  shokun e tij të vjetër president – një pozicion i zgjedhur nga parlamenti – në 2017 do të kishte një aleat pasi Meta ka qenë gjithmonë shumë i angazhuar në integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike si BE dhe NATO.

 

 

Megjithatë, Meta ka vendosur të bëhet aleat me Partinë Demokratike në opozitë e drejtuar nga krahu i djathtë i Berishës, Lulzim Basha. Në një përditësim klasik të strategjisë së vjetër të tensionit politik, Basha udhëhoqi deputetët e tij në bojkotin e parlamentit në shkurt dhe organizoi protesta në rrugë, të cilat në disa raste ishin edhe të dhunshme.

Bashkëshortja e presidentit së bashku me partinë e vogël të themeluar nga bashkëshorti i saj mbështeti këtë përpjekje primitive  për të destabilizuar qeverinë. Që nga shkurti Basha ka organizuar protesta të pafundme në rrugët e Tiranës si përpjekje për të treguar se Shqipëria nuk është më nën kontrollin e qeverisë.

Basha akuzoi edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, se po flet gjepura kur ajo u bën thirrje  deputetëve shqiptarë për të miratuar reforma për rivlerësimin e gjyqtarëve në kuadrin e përgatitjeve për anëtarësim në BE.

Basha gëzon mbështetjen e të djathës ekstreme në SHBA dhe përdor një foto të tijën me Donald Trump në të gjitha mediat sociale, si dhe të kujton sulmet alla- Trump ndaj  çdo media në Shqipëri që guxon ta kritikojnë atë. Prokurorët në Tiranë nisën një hetim për një pagesë misterioze prej 625,000 dollarësh që Basha i ka paguar lobistëve amerikanë për një shtërngim duarsh me Trump.

Meta mbështeti strategjinë e tensionit të Bashës duke njoftuar se, si president do të pezullojë zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në fund të qershorit. Arsyeja që ai dha është se partitë e opozitës, përfshirë atë të drejtuar nga bashkëshortja e tij, do t’i bojkotojnë ato.

Qëllimi ishte i qartë – të paraqiste një imazh të Shqipërisë si të paqëndrueshëm dhe të padenjë për t’u parë si një shtet anëtar i mundshëm i BE. Rusia është akuzuar për ndërhyrje për të ndaluar ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, gjë që çoi  Athinën në dëbimin e diplomatëve rusë. Gjëja e fundit që Kremlini dëshiron, është të shohë Ballkanin Perëndimor që të stabilizohet dhe të shndërrohet në vende të varfra, por normale të BE-së.

Rama po lëviz që parlamenti shqiptar ta heqë Metën nga posti i presidentit, pasi ai ka abuzuar ashpër me pushtetin e tij në mbështetje të një përpjekjeje partiake për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur. Por, tani, në këtë rrëmujë, është përfshirë presidenti i Maqedonisë Veriut me kërkesën që Brukseli ta shpërblejë politikën e Bashës për destabilizimin e Shqipërisë nëpërmjet një strategjie klasike të tensionit duke përdorur rrugën për të hedhur poshtë parlamentin e zgjedhur.

Pyetja tani është: A e mban fjalën e saj BE-ja ndaj Tiranës dhe Shkupit apo Brukseli – jo për herë të parë – do ta lerë Ballkanin Perëndimor pa dikë që ta ndihmojë?

 

Burimi: Euroactiv

 

https://www.euractiv.com/section/enlargement/opinion/will-brussels-turn-its-back-again-on-the-balkans/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *