EURO 2024/ Grup “ferri” për Shqipërinë, “peshkojnë” kampionët e botës

Goglat e Hamburgut i dhuruan Shqipërisë një short të tmerrshëm për fazën e grupeve të evropianit të vitit të ardhshëm.
Kuqezinjtë u pozicionuan në grupin B me rival si Spanja, Italia dhe Kroacia. Thënë ndryshe short më të vështirë se ky, përfaqësuesja jonë nuk mund të kishte.
Të tre kundërshtarët janë kombëtare me pretendime të mëdha, e mes tyre Spanja dhe Italia disa herë kampione të kontinentit.
Sfidën e parë të “Euro 2024” do ta luajë kundër Italisë, kampione në fuqi të Evropës.
Sa i takon grupeve të tjera, Gjermania si vend organizator do të ketë përballë Zvicrën, Hungarinë dhe Skocinë.
Ndërsa Franca do të ketë punë me Holandën, Austrinë dhe njërën prej skuadrave fituese të play off të marsit.
Interesant edhe grupi C me Anglinë, Serbinë, Danimarkën dhe Slloveninë. Portugalia do të luajë kundër çekisë dhe Turqisë, ndërsa Belgjika ishte me fat, pasi peshkoi Sllovakinë dhe Rumaninë.
Evropiani i viti të ardhshëm do të luhet 14 qershor deri në 14 korrik në Gjermani.




