Zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj deklaroi se ka shpresë që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’u hapen negociatat në mars. Nga studioja e “Vizion+”, Xhafaj u shpreh se diçka e tillë mund të arrihet nëse ka kompromis që metodologjia e zgjeriit dhe çelja e negociatave të trajtohen paralelisht.

 

“Është arritur një konsesus nga vendet që kanë mbështetur Shqipërinë që metodologjia e re e zgjerimit do të jetë një proces që do të shkojë paralelisht me procesin e zgjerimit dhe me nisjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ka një shpresë që të arrihet një kompromis mes këtyre të dyjave për të ecur si dy procese paralele, për të mos përjashtuar njëri-tjetrin.”

 

Etjen Xhafaj foli edhe për Konferencën e Donatorëve që do të mbahet në shkurt për të mbledhur të ardhura për rindërtimin pas tërmetit. Sipas tij, kjo konferencë u vendos të mbahej në Bruksel me qëllim që donacionet të jenë më të mëdha.

 

“Ne kemi kaluar fazën e parë, që ishte muaji i menaxhimit të krizës imediate humanitare dhe stadi i dytë është të mendosh për procesin e rindërtimit. Është një proces i madh, në vazhdimësi dhe burimet janë të limituara. Kemi disa javë që po merremi intensivisht me organizimin e Konferencës së Donatorëve dhe fatmirësisht kemi pasur mbështetjen e Presidencës së Komisionit Evropian. Është vendosur që të mbahet në Bruksel për të mobilizuar ndihmë nga të gjitha anët.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *