I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.

Pas takimit që zhvilloi të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobar tha në një konferencë për media se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta afrojë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë [Ballkanin Perëndimor] si një mundësi të jashtëzakonshme, me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e pranojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik”.

“Në këtë kuptim, ne i inkurajojmë të gjitha palët që t’i shohin shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare potenciale të BE-së në të ardhmen – të gjitha në paqe me njëra-tjetrën, të gjitha produktive dhe anëtare të afta, ashtu siç i kemi parë ne: si partnere bilaterale. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.

Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, me qëllim inkurajimin e liderëve të të dyja shteteve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t’ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *