Subscribe

Ervis Martinaj, aktualisht nën hetim për vrasje me paramendim, është subjekti i rradhës i Operacionit Forca e Ligjit, për të justifikuar pasurinë e tij, nëse është arritur përmes tw ardhurave nga aktivitetet kriminale.

 

Martinaj ka 48 orë në dispozicion për të vetëdeklaruar pronat, e më pas dokumentet do t’i kalojnë SPAK-ut për hetime të metejshme.

 

OFL, përveç Martinajt, u ka dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë edhe dy vëllezërve Arben dhe Valentino Kaçorri, të dënuar për vrasje dhe trafik të armëve në Itali.

 

Ervis Martinaj, u arrestua në 4 tetor 2018 në zonën e ish-bllokut në Tiranë pas atentatit ku vetë ai mbeti i plagosur bashkë me Eljon Haton, ndërsa miku i tij Fabjol Gaxha u vra.

 

Martinaj u lirua nga burgu në maj të vitit 2019, nga gjyqtari Artan Gjermeni dhe më pas me vendim të Gjykatës së Apelit  u la i lirë kundrejt garancisë pasurore prej 5 milion lekësh.

 

Treshja e Apelit, Flutura Skënderi, Gramoz Levanaj dhe Artur Gaxha, vendosën që Martinaj të vijojë të qëndrojë i lirë gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të çështjes.

 

Ndërkohë që prokurori i çështjes kishte kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Por gjykata e la të lirë, pasi sipas tyre organi i akuzës nuk kishte prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg.

 

Ndaj Ervis Martinajt, prokuroria kishte ngritur 7 akuza: “Vrasjes në rrethana cilësuese në bashkëpunim e mbetur tentative”, “Armëmbajtje pa leje”, “Falsifikim të pasaportave apo letër njoftimeve”, “Pastrim parash”,  “Fshehje të ardhurash”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ”Vënia në dispozicion e lokaleve për aktivitet bixhozi”.

 

I fundit që u dorëzua në polici për këtë ngjarje dhe u lirua me masën e detyrimit për paraqitje ishte Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjatës.

 

Aktualisht për ngjarjen në ish-bllok me të vrarë e të plagosur, nuk ka asnjë person të arrestuar dhe që ndodhet në burg.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *