Ervin Salianji mbetet në burg, Gjykata e Lartë refuzon rekursin e tij për t’u kthyer në liri

Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e ish-deputetit Ervin Salianji, kundër dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit të Përgjithëm për çështjen “Babale’.
Salianji kërkoi lirinë, por me mospranimin e rekursit ai do të duhet të vazhdojë të qëndrojë në burg deri në përfundim të dënimit për kallëzim të rremë.
Edhe më datë 15 tetor 2024, Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën e Salianjit për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Apeli.
Dënimi ndaj Salianjit lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku aludohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës.
Pas publikimit të audio-përgjimit, Geron Xhafaj kreu kallëzim për akuzuesit e tij, duke pretenduar se audio-përgjimi ishte i sajuar.
Pas padisë, Geron Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane të drejtësisë për të vuajtur një dënim më të hershëm për trafik droge.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Pas shpalljes së vendimit, në shtator të vitit të kaluar, Salianji e denoncoi procesin si të montuar nga fillimi në fund dhe e quajti veten një të dënuar politik./vizionplus.tv




