Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën vizitoi pjesën jugore të shtetit për të parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga tërmetet e fuqishme, teksa është rritur zemërimi i banorëve lokalë, të cilët kanë akuzuar autoritetet për përgjigje të ngadalshme për operacionet e kërkim-shpëtimit.

 

Nga tërmetet masive të së hënës prej 7.8 dhe 7.5 shkallësh, në Turqi dhe Siri janë vrarë mbi 11.000 persona.

 

Numri i viktimave pritet të rritet, pasi janë shembur qindra viktima në shumë qytete.

 

Erdogan, që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në 10 qytetet më të prekura nga tërmeti dhe ka dërguar atje ushtrinë për t’iu dalë në ndihmë banorëve, vizitoi qytetin e Kahramanmarshit për të parë nga afër dëmet dhe përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e pranoi se ka pasur probleme në përgjigjen fillestare ndaj tërmeteve masive.

 

Duke folur për gazetarët në Kahramanmarash më 8 shkurt – rajon që gjendet afër epiqendrës së tërmetit – Erdogan tha se ka pasur probleme me rrugët dhe aeroportet, por shtoi se tani gjërat po përmirësohen dita-ditës.

 

“Në ditën e parë kemi pasur disa probleme, por në ditën e dytë dhe sot, situata është nën kontroll”, tha ai.

 

Presidenti turk tha se qytetarët duhet të komunikojnë vetëm me autoritetet dhe të injorojnë “provokatorët”, teksa mijëra persona janë ankuar se ka mungesë të burimeve dhe kanë kritikuar zyrtarët për përgjigje të ngadalshme ndaj kësaj fatkeqësie natyrore.

 

Kjo fatkeqësi natyrore mund të paraqesë sfidë për Erdoganin, i cili në maj do të garojë në zgjedhje për të qëndruar në pushtet.

 

Çdo perceptim se Qeveria e tij ka dështuar të adresojë si duhet këtë fatkeqësi, mund ta dëmtojë Erdoganin gjatë zgjedhjeve, por analistët kanë argumentuar se unifikimi kombëtar në kohë krizash mund ta forcojë pozicionin e tij.

 

Autoritetet turke kanë thënë se 13.5 milionë persona janë prekur nga tërmetet.

 

Agjencia për menaxhimin e fatkeqësive në Turqi, përveç që ka publikuar numrin e viktimave, ka thënë edhe mbi 38.000 persona të tjerë janë lënduar./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *