Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha pas një takimi me liderin rus Vladimir Putin të hënën se Ankaraja është kundër propozimeve alternative për marrëveshjen për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi, të cilën e ndërmjetësoi bashkë me Kombet e Bashkuara vitin e kaluar.
Rusia dhe Ukraina kanë propozuar plane alternative, por Erdogani tha se ato propozime “nuk mund të ofrojnë model të qëndrueshëm, sigurt dhe përhershëm për bashkëpunimin mes palëve siç bënte marrëveshja e Detit të Zi”.
Erdogani i bëri këto deklarata më 4 shtator në një konferencë për media me Putinin në Soçi, Rusi, ku dy liderët u takuan për tri orë për të biseduar për ringjalljen e marrëveshjes, nga e cila Moska u tërhoq në korrik.
Erdogani ndihmoi që marrëveshja të arrihej në gusht 2022, si dhe ndihmoi në uljen e shqetësimeve për sigurinë e ushqimit global duke e mundësuar eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes tri porteve të Ukrainës në Detin e Zi.
Presidenti turk tha në konferencë se Ukraina duhet ta “zbusë” qëndrimin e vet në negociata “në mënyrë që ajo të jetë në gjendje për të ndërmarrë hapa të përbashkët me Rusinë”, duke thënë se më shumë drithëra duhet të dërgohen në Afrikë, se në vendet evropiane.
Më herët gjatë ditës, Erdogani tha se beson se mund të gjendet një zgjidhje shumë shpejt për marrëveshjen për drithërat.
“Ne besojmë se kjo nismë duhet të vazhdohet duke i eliminuar mangësitë e saj. Në këtë kontekst, ne e përgatitëm një pako që përmban sugjerime të reja në konsultim me Kombet e Bashkuara”, tha Erdogani.
“Mendoj se është e mundur të kemi përparim. Si Turqi, ne besojmë se do ta arrijmë një marrëveshje e cila do t’i përmbushë pritjet në një kohë të shkurtër”, theksoi ai.
Ndërkohë, Putini tha se Rusia është e “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi, disa orë pasi Moska e sulmoi njërën prej porteve kryesore të drithërave të Ukrainës gjatë natës.
Moska i ka sulmuar që nga atëherë portet ukrainase, për çka është akuzuar nga Kievi se në mënyrë cinike po tenton ta dëmtojë eksportin e tij dhe ta minojë sigurinë e ushqimit botëror. Të hënën, sulmet ruse me dronë e dëmtuan një port të eksportit në lumin e Danubit, thanë zyrtarët, duke shtuar se depot dhe pajisjet bujqësore u dëmtuan, po ashtu.
Në nisje të takimit, Erdogan tha se do të bëjë “një njoftim shumë të rëndësishëm” për eksportet e drithërave ukrainase, pas bisedës me Putinin.
“Besoj se mesazhi që të japim gjatë konferencës për media do të jetë shumë i rëndëshëm për botën, veçmas për shtetet e pazhvilluara në Afrikë”, tha Erdogan në nisje të takimit me Putinin.
Erdogan është një prej liderëve të paktë të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s që ka mbajtur të hapur qasjen me Putinin.
Dy liderët kanë raporte të ngushta, por duket se marrëdhënia e tyre është forcuar që kur Rusia nisi “operacionin e posaçëm ushtarak” – pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – shkurtin e vitit të kaluar.
Vendimi i Putinit për të ulur dhe vonuar pagesat e Turqisë për importet e gazit rus ka ndihmuar në lehtësimin e krizës ekonomike, që për pak ia humbi zgjedhjet presidenciale Erdoganit që u mbajtën në maj.
Ankaraja u kundërpërgjigj duke refuzuar që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe Turqia është bërë një shtet kyç për qasjen e Rusisë në mallra dhe shërbime.
Por, Erdogani po ashtu ka irrituar Putinin pasi ka furnizuar Ukrainën me armë dhe ka mbështetur ambiciet e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO.
Kremlini është zemëruar veçanërisht kur Erdogani në korrik lejoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, – i cili ishte duke vizituar shtetin – të merrte në Ukrainë pesë komandantë që Rusia dërgoi në Turqi. Ky ishte një këmbim i madh të burgosurish.
Komandantët ishte paraparë të qëndronin në Turqi dhe Kremlini paralajmëroi se kjo gjë “do të merret parasysh në marrëveshjet e ardhshme” me Erdoganin.
Megjithatë, Moska dhe Kievi tani po kërkojnë mbështetjen e Erdoganit sa i përket mosmarrëveshjeve të tyre për eksportin e drithërave dhe armiqësive në Detin e Zi.
“Vetëm premtime”
Rusia u largua nga marrëveshja për drithërat në korrik dhe që atëherë ka kryer sulme ajrore ndaj porteve ukrainase, ndërkaq Kievi ka kryer sulme përreth Detit të Zi.
Marrëveshja e drithërave ishte pakti i vetëm i arritur nga të dyja palët gjatë luftimeve.
Aftësia e Ukrainës për të eksportuar mbi 32 milionë tonë drithëra në bazë të marrëveshjes, bëri që të uleshin çmimet globale ushqimore dhe të lehtësohej gjendja me urinë në Afrikë dhe pjesë të Lindjes së Mesme.
Turqia dhe Kombet e Bashkuara ndihmuan në arritjen e marrëveshjes dhe tani Ankaraja po tenton që të rimarrë prestigjin diplomatik duke u bërë një ndërmjetëse kyçe mes Moskës dhe Kievit.
Erdogan dërgoi në Kiev dhe Moskë ministrin e tij të Jashtëm, Hakan Fidan, për të përgatitur bisedimet me Putinin dhe ka tentuar që të pengojë palët që të prezantojnë plane të reja për eksportin e drithërave të tyre.
Ukraina ka dërguar katër anije për të testuar një rrugë të re eksportuese që kalon përmes ujërave ndërkombëtare dhe më pas kalon përmes ujërave të kontrolluara nga anëtarët e NATO-s. Kjo rrugë është më pak e cenueshme nga sulmet ruse.
Moska po ashtu po shtyn përpara propozimin e saj për të furnizuar falas me ushqime Afrikën dhe për të dërguar drithëra me çmim të lirë, për përpunim në Turqi, në bazë të një marrëveshjeje të propozuar në të cilën është përfshirë edhe Katari.
Vitin e kaluar, Rusia dështoi të largonte kufizimet indirekte ndaj eksporteve të saj të drithërave dhe plehrave, pasi Perëndimi ia ndaloi Moskës qasjen në sistemin ndërkombëtar të pagesave.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, po ashtu ka refuzuar një propozim të ri për marrëveshjen e drithërave të paraqitur nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“Ende nuk ka asnjë garanci në këtë propozim, vetëm premtime”, deklaroi Lavrov./REL/