Subscribe

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan kritikoi Bashkimin Europian për mosanëtarësim e Turqisë që nga viti 1963, duke shtuar se në vendin e tij mund të mbahet një referendum për këtë çështje.

 

Recep Tayyip Erdogan: “Ka shumë gjëra që mund t’i kontribuojmë Bashkimit Evropian. Ata mund të kenë shumë gjëra për të na ndihmuar, por duhet të konsultohemi me 81 milionë njerëz në Turqi dhe të shohim se çfarë do të vendosin. Është viti 2018 dhe ata në BE janë ende duke na pritur. Ne duhet t’u drejtohemi qytetarëve tanë, t’i pyesim dhe të shohim se çfarë vendimi do japin ata 81 milionë njerëz”.

 

I pyetur nëse projekti i BE-së po i afrohet fundit, Erdogan tha: “Unë gjithashtu i shoh ato shenja”.

 

Sipas Kreut të shtetit turk referendumi mund të tregojë dhënien fund të përpjekjes së stërzgjatur të Turqisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, ku sipas tij zvarritjet kanë ardhur nga paragjykimet kundër myslimanëve.

 

Pasi bisedimet e pranimit të Turqisë filluan në 2005, ato u zvarritën në 2007 për shkak të kundërshtimeve nga administrata greke qipriote në ishullin e ndarë të Qipros, si dhe kundërshtimin nga Gjermania dhe Franca.

 

Për të fituar anëtarësimin në BE, Turqia duhet të përfundojë me sukses negociatat mbi 35 kapituj politikë që përfshijnë reforma dhe miratimin e standardeve evropiane. Në dhjetor 2016, shtetet anëtare thanë se nuk do të hapen kapituj të rinj. Sipas vendeve të unionit Turqia duhet të trajtojë çështjet rreth sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, për të bërë të mundur përparimin në rrugën drejt pranimit në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *