Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi për një marrëveshje me Bosnjë e Hercegovinën, që do t’i lejojë qytetarët e këtij shteti të udhëtojnë për në Turqi vetëm me letërnjoftime dhe anasjelltas.

 

Gjatë vizitës në Sarajevë të martën, më 6 shtator, ai njoftoi se një marrëveshje e ngjashme do të nënshkruhet edhe me Serbinë.

 

“Ne po punojmë për të nisur një udhëtim të ndërsjellë mes dy shteteve. Ministrat tanë të Jashtëm do të kryejnë procedurat e nevojshme që kjo gjë të jetësohet”, tha Erdogan dhe shtoi se Turqia është “me Bosnjë e Hercegovinën në të gjitha çështjet”.

 

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjës janë pajtuar se një marrëveshje e tillë do të ishte e dobishme për të dyja shtetet. Ata konfirmuar se procedurat e mëtejme do të kryhen nga Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

 

Pas takimit, udhëheqësi i Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, tha se Turqia është e përkushtuar për sovranitetin dhe integritetin e shtetit të tij.

 

Liderët e të dyja shteteve theksuan raportet e mira dhe miqësore mes dy vendeve, por edhe për rolin e tyre në “stabilizimin” e situatës në Ballkanit Perëndimor.

 

Pas Bosnjë e Hercegovinës, Erdogan do të qëndrojë të mërkurën në Serbi, ku do të takohet me liderët shtetërorë./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *