Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogani, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, ka njoftuar zyra e presidentit turk.

 

Pas një telefonate njëorëshe, presidenca turke përmes një deklarate njoftoi se Erdogan i tha Putinit se Turqia është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje paqësore të konfliktit. Sipas deklaratës, Erdogan tha se një armëpushim do të lehtësonte situatën humanitare.

 

“Presidenti Erdogan filloi bisedën me fjalinë: “le të hapim rrugën për paqen së bashku”, thuhet në deklaratën për media.

 

“Erdogan theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave urgjente për arritjen e një armëpushimi, hapjen e korridoreve humanitare dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje”, thuhet më tej në deklaratë.

 

Të dy krerët e shteteve, diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin ndërmjet Rusisë dhe Turqisë. Më herët, presidenti Erdogan, ka thënë se sulmi rus në Ukrainë “është i papranueshëm”, mirëpo shteti i tij nuk do t’i kthejë shpinën asnjërit shtet, pasi me të dyja vendet ka lidhje të forta./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *