Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Beograd për një vizitë dy-ditore.

 

Ai përveç takimeve me autoritetet serbe do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e nisjes së punimeve në autostradën Beograd-Sarajevë.

 

Erdogan filloi vizitën e tij duke vizituar ekspozitën “Serbia dhe Turqia në dokumentet e Arkivit Osman dhe Arkivit të Serbisë”.

 

Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, që zgjatën pak më shumë se një orë, ka filluar seanca e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit midis Serbisë dhe Turqisë.

 

Të dyja vendet do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh dypalëshe. Në delegacionin e presidentit Erdogan janë edhe disa përfaqësues të bizneseve turke.

 

Para mbërritjes së tij në Beograd, presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, i tha gazetës Politika se arritja e një marrëveshje për çështjen e Kosovës, e cila kënaq të gjithë palët e interesuara, është jetike për të arritur stabilitetin dhe paqen afatgjatë në Ballkan.

 

“Prandaj ne mbështesim vazhdimin e procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në vullnetin e lirë dhe konsensusin nga të dyja palët. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çmos për të zgjidhur çështjen. Një marrëveshje e arritur midis dy vendeve do të jetë e pranueshme edhe për ne”, ka thënë Erdogan.

 

Erdogan, i cili thotë se marrëdhëniet Turqi-Serbi janë në nivelin më të lartë historik, vizitoi për herë të fundit Serbinë në tetor të vitit 2017./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *