Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të hënën se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka “duar të përgjakshme”, për shkak të mbështetjes për Izraelin në konfliktin me Gazën.

Komentet e Erdoganit janë ndër më të ashprat kundër presidentit Biden, qysh kur ky i fundit ka marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë, në muajin janar.

“Ju po e shkruani historinë me duar të përgjakshme. Ju na detyruat ta themi këtë, sepse ne nuk mund të rrimë më të heshtur”, tha Erdogan.

Sipas burimeve në Kongresin amerikan, administrata e Bidenit miratoi të hënën shitjen e mundshme të armëve në Izrael, në vlerë prej 735 milionë dollarësh.

“Sot, ne pamë nënshkrimin e Bidenit në shitjen e armëve në Izrael. Territoret palestineze janë të mbushura me përndjekje, vuajtje dhe gjak, si shumë territore të tjera që humbën paqen me fundin e Otomanëve. Dhe, ju po e mbështesni këtë”, tha Erdogan.

Dhuna midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës është përshkallëzuar javën e kaluar.

Mbi 200 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore të Izraelit, kanë raportuar autoritetet në Gaza.

Në Izrarel, zyrtarët kanë thënë se 10 vetë kanë humbur jetën nga sulmet e militantëve të Hamasit me raketa.

Administrata Biden ka thënë më herët se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se populli palestinez ka të drejtë në siguri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se SHBA-ja po punon “intensivisht” prapa skenave për t’i dhënë fund dhunës./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *