Subscribe

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan kërcënon se do të rishikojë marrëdhëniet politike dhe administrative me BE, pas referendumit të 16 prillit. Duke folur për CNN turk, ai paralajmëroi se këtu mund të përfshihet edhe marrëveshja e arritur me unionin për të frenuar fluksin e emigrantëve.

 

“Ne mund të vazhdojmë marrëdhëniet ekonomike me Bashkimin Europian, por mund të rishikojmë marrëdhëniet politike dhe administrative. Do të bisedoj me qeverinë dhe do të rishohim gjithçka nga A tek Z”.

 

Më herët, Erdoan kishte deklaruar se evropianët nuk do të mund të ecin të sigurte në rrugë, nëse vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim drejt Turqisë.  Kjo solli edhe një përgjigje të ashpër nga Brukseli, që thirri ambasadorin turk për të dhënë shpjegime.

 

Raportet mes Ankarasë dhe BE, veçanërisht me Gjermaninë dhe Holanden, janë përkeqësuar pasi këto vende nuk lejuan mbajtjen e disa tubimeve të zyrtarëve turq përpara referendumit për ndryshimet kushtetuese, që do t’i jepnin më shumë pushtet Erdoan. Pasi akuzoi Berlinin se po përdor metoda naziste, kancelarja gjermane Merkel, kërkoi që ai t’u japë fund krahasimeve të tilla, por Erdoan u kundërpërgjigj se do ta bëjë këtë për aq kohë sa do ta cilësojnë diktator.

 

SHBA kanë apeluar që Turqia dhe vendet europiane të ulin retorikën. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Marc Toner tha se Turqia është vend mik, aleat dhe partner i fortë në luftën kundër Shtetit Islamik dhe Uashingtoni mbështet aspiratat e vendit për t’u bërë pjesë e BE.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *