Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tiranë, si një vlerësim për kontributin që ai ka dhënë për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe diplomacisë.
“Sot është e vështirë të gjesh në politikë njerëz që vijnë nga bota e dijes. Ju jeni ndër të paktët që vini nga bota e dijes dhe keni arritur që të na tregoni se njerëzit që dinë janë më të fortë se njerëzit që kanë. Besoj se është një shembull shumë i madh sot, për shumë njerëz të dijes, të cilët thonë nuk futem në politikë se politika të bën pis. Të falënderoj që ke kmbëngulur se prej dijes mund të prodhohet politikë e mirë, prej dijes mund të qëndrosh me dinjitet”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Kjo është një ditë e veçantë për mua dhe për familjen time, por edhe për të gjithë miqtë e mi, meqë marrja e këtij titulli ndodh në ditët kur ne kremtojmë krijimin e Shqipërisë së Pavarur, Festat e Nëntorit. Nuk ka ndonjë datë e cila i jep më shumë kuptim shqiptarëve sesa data e 28 nëntorit, nuk ka asnjë ngjarje tjetër që i jep më shumë kuptim kohës dhe hapësirës, ecjes në histori, por edhe të ardhmes tonë se sa 28 nëntori. Jam shumë i nderuar që kryetari Veliaj, Presidenti Topi, zv. kryeministri Hajredin Kuçi, znj. Valentina Leskaj, ambasadori Tarifa, ambasadori Minxhozi, të gjithë dhanë vlerësimin për mua para se të nderohem me një titull të tillë”, tha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Enver Hoxhaj është një nga politikanët më aktivë të Kosovës në dhjetëvjeçarin e fundit. Ai ka ushtruar edhe detyrën e ministrit të Jashtëm në vitet 2011-2014, ndërsa në qeverinë Haradinaj ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër./vizionplus.tv





