Subscribe

Ndërsa efektet ekonomike të luftës Rusi-Ukrainë mbeten ende të lokalizuara, në tregun tonë shtrenjtimi i energjisë elektrike nga muaji janar ka sjellë një rritje të çmimit të miellit. Përpunuesit e fabrikave të grurit në vend thonë se energjia është trefishuar, duke bërë që çmimi të nisë të reflektohet edhe në tregun e pakicës

 

“Nga 1 janari fatura e energjisë për fabrikat e miellit u rritën me 300%. Fabrikat trajtoheshin si furra buke, me një çmim prej 7.6 lekë për kw. Por ato u rritën në 18.8 ose 21 lekë në pikë, pra nga 7 në 20 janë 300%. Kemi qenë në negociata, por nuk ia arritëm, dhe fatura u rrit. Edhe në Shkurt kjo faturë erdhi po njësoj e rritur. Në muajin e tretë nuk e mbajmë më këtë kosto. Pra një kg miell nga 60 lekë nga fabrika u rrit në 64 apo 65 lekë, sipas kostove që ka secila fabrikë. Pra ne ende nuk kemi reflektuar impaktet e luftës.”, – shprehet Adi Haxhiymeri, kryetar i shoqatës së përpunuesve të miellit.

 

Importuesit thonë se këtë të martë erdhi edhe kontenieri i fundit me porosi nga Rusia. Por ndërkohë bursat ndërkombëtare janë në kaos ndaj dhe mbetet e paqartë se si do të jetë ecuria e mëtejshme e çmimeve.

 

“Këto ditë janë shumë të vështira për të ndarë abuzimin nga realiteti. Është bllokuar një sasi prej 6 mln ton në Ukrainë dhe 8 mln ton në Rusi. Janë sasi të konsiderueshme për rajonin tonë. Thirrja që kam unë është kjo, nuk është problematike situata në sigurimin e grurit, sepse ne po komunikojmë me gjithë opsionet e tjera, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, Serbia nga enjtja i ka bllokuar eksportet, që ka dhënë efekt në Kosovë, ne po mundohemi të mbajmë edhe Kosovën këto ditë. Do presim e të shohim se si do të sistemohen këto tregje.”

 

Vendi ynë siguron 50% të konsumit të grurit nga Rusia dhe Ukraina, por ende pa nisur lufta atje, marrëdhëniet ekonomike u ndërprenë, pasi konflikti ishte në përshkallëzim dhe investimet konsideroheshin me risk të lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *